Presidenti i parë i shtetit të parë…Shqiptar

E Mërkurë, 16 Tetor 2013
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Më 16 tetor, 1846 – Në Kaninë të Vlorës, në një familje bejlerësh fisnikë, lind Ismail Qemali (rreth datës së lindjes së tij ekzistojnë kundërthënie). Ai arsimohet në Janinë, në gjimnazin “Zosimea” vatër edukimi kulturor për shumë figura të Rilindjes Kombëtare.
Pastaj, i ri në moshë, Ismail Qemali shkon në Stamboll me synimin për t’u bërë nëpunës qeveritar; fillon të punojë si përkthyes diplomatik a në Ministrinë e Jashtme. Dhe këtu nis karriera e tij; pas disa vitesh, ai emërohet zëvendësministër i jashtëm i Perandorisë Osmane.

Në vitin 1877, kur mentori i tij, kryeministri reformator Mitat Pasha shkarkohet nga posti, Ismail Qemali jep dorëheqjen. Ai internohet në Anadoll. Më vonë Sulltani  kujtohet për ‘të, e thërret dhe e cakton guvernator të Bejrutit. Ismail bej Qemali shërbeu si guvernator e vali edhe në shumë rajone të tjera të perandorisë, si dhe në Ballkan.

Ismail Qemali i përkiste krahut liberal të politikës osmane, ai vazhdimisht bënte thirrje për ide të reja e reforma, nëse perandoria dëshironte të mbijetonte. Megjithatë, idetë e tij për reforma në gjirin e perandorisë, shiheshin me sy të keq dhe në maj 1900, Ismail Qemali hypën në jahtin e ambasadorit britanik në Stambull dhe kërkon strehim politik. Ai ikën nga Turqia dhe për 8 vjet jeton në mërgim, duke u përpjekur nga jashtë për një perandori kushtetuese, dhe përparimin e çështjes kombëtare shqiptare në kuadër të perandorisë.

Pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, Ismail Qemali zgjidhet përfaqësues i sanxhakut të Beratit në parlamentin osman Në vitin 1909, ai bëhet kryetar parlamenti, por pas pak ditësh detyrohet të largohet nga Stambolli përgjithmonë. Pas kësaj, karriera e tij politike përqëndrohet vetëm në çështjen atdhetare shqiptare: ai dallohet si frymëzues i kryengritjeve anti-osmane dhe organizues i kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912.

Më 28 Nëntor të po atij viti, Ismail Qemali mbledh kuvendin në Vlorë; shpall Shqipërinë e Pavarur; ngre zyrtarish flamurin e kuq të Skënderbeut me shqiponjën e zezë dy-krenare; dhe emërohet presidenti i parë i shtetit të parë shqiptar, kryeministër dhe ministër i Jashtëm, duke shkurajuar – me aq fuqi sa shteti i ri kishte –  trupat e vendeve fqinje të cilat synonin të merrnin pjesë territoresh të banuar nga shqiptarët.

Në janar 1914, Ismail Qemali jep dorëheqjen a rrëzohet dhe shkon në mërgim në Paris. Kryetari i parë i shtetit shqiptar vdes papritur në Itali në vitin 1919, (i helmuar!?). Dhe këtu këputen edhe “Kujtimet..” e tij të cilat mbyllen me largimin e princ Vidit nga Shqipëria në shtator 1914. “Kujtimet…” do të botoheshin një vit më vonë, më 1920, jo të plota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

October 2013
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031