Naim Frashëri – poet i qarë në vargje

E Diel , 20 Tetor 2013
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zeri i  Amerikes

20 tetor 1900 –

“Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
O moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë.”

Me këto vargje, poeti Çajupi qau kur mësoi se vdiq Naim Frashëri; gjithkush sikur humbi një pjesë nga vetja; dhe Çajupi qante për gjithë. Pa Naimin si poet pak mund të thuhet se ndjenja e zgjimit kombëtar do të kishte arritur deri tek shqiptari më i thjeshtë – nga fshatari i robtuar deri tek “nizami” që luftonte pa ditur pse në dhera të huaj ndërsa vend për vete s’kishte. Por nuk ishte vetëm Naimi; ai ishte 1/3, sepse Vëllezërit Frashëri i ngjajnë trinisë, pa njërën prej të cilave njeriu a kombi nuk mund të qëndrojë në këmbë e as të jetojë – Abdyli luftëtar (Trupi); Samiu dijetar (Mendja); Naimi poet (Shpirti); së bashku ndihmuan a sollën rilindjen; u dhanë shqiptarëve kyçin për të rigjetur veten duke përdorur forcën, mendjen dhe ndjenjën – së bashku a në harmoni. Dhe Çajupi, I cilësuar si poeti i dytë romantik më i madh shqiptar, pas Naimit, e dinte se sa e rëndë është humbja e shpirtit, dhe e qau me vargje vdekjen e e kolegut të tij.
Naim Frashëri
(nga Andon Zako – Cajupi)

“Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Naimnë kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qarë!
………..
Vdiq Naimi, që këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, që lëvdoi
dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë….”

Naim Frashëri lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit. Në vendlindje ai mori edhe mësimet e para. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea”. Më vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës në zyrën e shtypit, por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë më të mirë. Në fillim ishte nëpunës në Berat e më pas doganier në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri shkroi edhe pozitë e para në shqip. Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe nën ndikim e veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu – Naim Frashëri iu kushtua tërësisht letërsisë shqipe. Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria” (1885), ku ai botoi edhe shumë prozë e vjersha të tij, prej të cilave:

Pellazgët-shqiptarët
(Naim Frasheri)

Ishte një ditë/Që pellasgjitë/Posi një dritë/Mbuluan dhenë/Duall ng’ Asia/Si mizëria/Dhe me ania/E hodhë denë.

Pas pakë herë,/Duke përzjerë /Ca me të tjerë,/Bënë elinët, /Dhe duke ndarë /Syresh një farë,/Si ka të ngjarë,/Bëri llatinët.

Edhe të tjerët/E më të ndjerët,/Të papërzjerët,/Pellasgjinj mbenë/Maqedhoninjtë/E ilirinjtë/E mollosinjtë,/Gjith’ ata qenë.

Dhe ata janë/Prindërtë tanë,/Pastaj na thanë/Na shqipëtarë/Mundim të themi/Ne ata jemi,/Atë gjak kemi,/Si dhe shtyparë.

Thot’ Herodoti,/Në Tomor zoti/Shtëpi qëmoti/Kishte Dhodhonë/Eshtë m’e vjetër/Ngaha çdo tjetër,/Shumë më tepër,/Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë/Burra të ndjerë/Edhe të vlerë/Jemi treguar;/Me grekërinë/Dhe me Persinë,/Me gjith’ Asinë/Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë,/Muntmë Daranë,/Datën i dhamë/Gjithë Asisë /Burr’ u dëftyem,/Të gjith’ i thyem,/Përmbys e kthyem/Fron’ e Persisë.

Të tërë dhenë,/Den’ e sterenë,/Sa kombe qenë/Në këmb i vumë/Dhe mbretëruam/Kudo që shkuam,/Tekdo lëftuam,/Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë/Romës i ramë,/Llatint’ i vramë/E i tmeruam;/Me Skënderbenë/Tyrqve sa qenë/U dhamë dhenë/Dhe i dëbuam.

Kush i goditi/Posi petriti/E i cfiliti/Tyrqit, barbarët?/Bota s’kuxonte/Që t’u qëndronte,/Po kush lëftonte?/Ne shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,/Se s’kupëtuam/Dhe nuk e çquam/Të mirën tënë/Gjaknë për botë/E derthmë kotë,/Njeri ç’të thotë?/Nuk ishte thënë!

Mbajtmë Tyrqinë,/Ngjallmë Greqinë,/Ndihm’ Italinë./Po Shqipërinë?/Pse s’u munduam?/Për kë lëftuam?/Neve ç’fituam?/Ç’kemi taninë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

October 2013
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031