Mbretëresha e Malësorëve

E Premte , 15 Nëntor 2013
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes

high albaniaBallkani ka patur dy gra të huaja të fuqishme e me tepër ndikim në çështjet e rajonit dhe në imazhin e popujve të këtij gadishulli në bote; Rebeka West në anën e serbëve; dhe Mary Edith Durham në anën e shqiptarërëve –  të dyja shkrimtare; e para udhëtoi nëpër Serbi për disa muaj; e dyta udhëtoi e jetoi mes malësorëve shqiptarëve për dy dekada. Britanikja Mary Edith Durham – artiste, natyraliste, udhëtare, shkrimtare – u bë e famshme për studimet e saj antropologjike të jetës shqiptare në fillim të shekullit të 20-të. Edith Durham ishte më me e madhja e tetë fëmijëve. Ajo pati një rini tepër të lodhshme; kur i ati i vdiq, Edithit iu desh të kujdesej për gjithë familjen, ndërsa merrej me vetë-arsimim dhe zhvillonte talentin si piktore – Kur ishte 25 vjeç, punimet e saj u bënë pjesë e muzeut të Historisë Natyrore në Kembrixh.

Më 1913, shëndeti i saj u dobësua, dhe mjeku i rekomandoi pushim, larg halleve ditore. Kështu, Edith Durham u nis nga Londra në Trieste, në Kotor, në brigjet e Dalmacisë, dhe pastaj me rrugë tokësore në Mal të Zi. Ky ishte kontakti i parë me Ballkanin, që do të mbushte pjesën në vazhdim të jetës së saj.

Mary Edith Durham udhëtoi gjerësisht në Ballkan gjatë 20 viteve të ardhshme, duke u përqëndruar veçanërisht në Shqipëri, atëherë një nga zonat më të panjohura dhe më të pazhvilluara të Evropës. Durham punoi për shumë organizata ndihmash, skicoi, pikturoi e shkroi, duke mbledhur artin dhe folklorin shqiptar. Puna e saj ishte e një rëndësie të mirëfilltë antropologjike dhe për këtë arsye, Edith Durham u pranua anëtare e Institutit Antropologjik Mbretëror Britanik. Por ishin edhe shkrimet e saj që i dhanë asaj famën e veçantë. Ajo shkroi shtatë libra mbi çështjet e Ballkanit, nga të cilët “High Albania” (1909 ) është më i njohuri, dhe që ende vazhdon të konsiderohet nga të huajt si libër-udhëzues për të njohur dhe kuptuar zakonet e malësisë së veriut.

Me punën e saj, Mary Edith Durham erdhi duke u njëjtësuar gjithnjë e më shumë me çështjen shqiptare; ajo ishte përkrahëse e idesë së bashkimit të popullit shqiptar. Por Durham pati edhe kritikë të shumtë. Për shembull, ajo sulmohej vazhdimisht nga përkrahësit e shtetit jugosllav, të cilët mbështesnin përfshirjen e Kosovës në Serbi. Kjo e bëri Durhamin gjithnjë e më anti – serbe, duke dalë me shprehjen “paraziti serb” i cili synon jo për të krijuar një Jugosllavi, por për të përmbushur synimet për një Serbi të Madhe …. jo për çirimin e popujve por për t’i bërë ata edhe më të shtypur se më parë”.

Disa intelektualë britanikë pro-serbë i kritikuan ashpër pikëpamjet e saj. Për shembull, Rebecca West (me një përvojë vetëm disa mujore udhëtimi në Jugosllavi shkroi librin e njohur pro-serb “Black Falkon…”) e quante Durhamin “një udhëtare që i përshkruan shqiptarët masakrues të masakruar”. Ndërsa historiani i njohur RW Seton-Watson komentonte se “duke kritikuar vazhdimisht mendësinë ballkanike, ajo u bë pjesë e kësaj mendësie”.

Nga ana e tyre, shqiptarët e vlerësojnë lart Edith Durhamin, duke i dhënë asaj emrin “Mbretëresha e Malësorëve”. Asdreni i përkushoi asaj një vëllim poetik, ndërsa, kur Durham vdiq më 15 nentor 1944, mbreti Zog në mërgim u shpreh: “Ajo na dha zemrën e saj dhe u bë zë në veshin e malësorëve tanë”. Në vitet sundimit komunist (veçanërisht gjatë marrëdhënieve shumë të ngushta shqiptaro – jugosllave), emri i M. Edith Durhamit u la në heshtje, u përbuz, u ndalua. Në vitin 2004, presidenti Alfred Moisiu e cilësoi Edith Durhamin si një prej personaliteteve më të shquara të botës shqiptare gjatë shekullit XX.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

November 2013
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930