Gjon Buzuku, letrari i parë i shqiqes

E Diel , 05 Janar 2014
1 comment

Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Ne vitin  1555, 5 janar – Gjon Buzuku përfundoi veprën e tij që njihet si “Meshari”. E kishte filluar më 20 mars 1554 (viti 2014 shënon 460-vjetorin). Ja si shkruan Buzuku te Pasthënia: Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V.(1555) ndë kallënduor V dit. (Emil Lafe).

Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqipe. Kush ishte, nga ishte, ku punoi, mbi ç’baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur përgjigje të plotë. Por dihet për vështirësinë që Buzuku hasi, për punën, qëllimin dhe për kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e vet, dhe këtë e mësojmë vetëm nga pasthënia e librit.

Gjon Buzuku ishte famulltar i thjeshtë, që, me sa duket, punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Libri i plotë ka pasur 110 fletë (220 faqe), por, ashtu siç na ka arritur sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera përmes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj.

Libri duket se i përket rrymës protestante, pasi ka qenë në listën e librave të ndaluar nga kisha katolike e Romës. Pra, përmbajtja e librit është fetare dhe kryesisht me pjesë liturgjie, pjesë që lexohen e recitohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare.

Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore e Perëndimore. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Ishte koha kur në Evropë kishte shpërthyer lëvizja për t’u shkëputur nga kisha katolike e Romës, lëvizjE që njihet me emrin protestantizëm. Një nga kërkesat kryesore të kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhën amtare. Buzuku, me sa duket, ecën në këtë rrugë, edhe pse kjo ishte në kundërshtim me urdhrat e Vatikanit.

Në rrethanat që ishin krijuar në Shqipëri nga pushtimi osman, kisha katolike e Romës ishte e detyruar të bënte lëshime për të penguar islamizmib e popullsisë shqiptare. Këtë gjë e kuptoi dhe e shfrytëzoi Buzuku, i nisur jo vetëm nga qëllime fetare por edhe atdhetare. Ndikuar nga idetë e lëvizjes protestante, Buzuku iu vu punës që besimtarët shqiptare shkrimin e shenjtë ta merrnin drejtpërdrejtë në gjuhën amtare: U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut , tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të  ndigluom (që të jetë dëgjuar) n së Shkruomit shenjtë, n së dashunit se botësë sanë desha me u fëdigune për sa mujta me ditune, me zdritunë (me ndriçue) pak mendetë e atyne që të ndiglojinë.

Që nga botimi deri më 1740, gati dy shekuj, Meshari ishte një vepër e humbur, e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi në Biblotekën e Propaganda Fides në Romë Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova, atë kohë arqipeshkëv i Shkupit. Pas kësaj çështja mbeti përsëri në heshtje edhe për më tepër se një shekull, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi në Biblotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot.

Me 1929 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Biblotekën Kombëtare në Tiranë. Më 1955, me rastin e 400-vjetorit të “Mesharit”, Instituti i shkencave në Tiranë organizoi një sesion shkencor të posaçëm. I ngarkuar nga Instituti, gjuhëtari i njohur Eqrem Çabej përgatit botimin kritik të “Mesharit” në dy vëllime (vëll. i parë Hyrje studimore dhe transliterim; vëll. i dytë fotokopja e origjinalit dhe transkriptim). Vepra qe bërë gati për shtyp më 1958, por për vështirësi teknike arriti të botohet më 1968 nga Akademia e shkencave e Rumanisë. Në studimin hyrës të vëllimit të parë, E. Çabej flet gjerë për gjuhën dhe meritat e autorit. “Meshari” i Buzukut ka rëndësi shumë të madhe për historinë gjuhës së shkruar shqipe. Duke krahasuar gjuhën e Buzukut me shqipen e sotme, shkencëtarët vërejnë zhvillime të ndryshme që ka pësyar gjuha shqipe që nga shekulli XVI e deri më sot, si dhe mënyrën sesi mund të ketë ndryshuar ajo që nga ilirishtja  e largët dhe prirjet për ndryshime të mundshme në të ardhmen.

 

One response to “Gjon Buzuku, letrari i parë i shqiqes”

  1. I like this site so much, saved to favorites. “Nostalgia isn’t what it used to be.” by Peter De Vries.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

January 2014
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031