Fan Noli: “Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise?”

E Hënë , 06 Janar 2014
1 comment

Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes

Bishop Fan NoliNë fshatin shqiptar Qytezë (Ibriktepe) të Trakisë, me 6 janar 1882, lindi Theofan Stilian Noli, i njohur më mirë si Fan Noli – shkrimtar, studiues, diplomat, politikan, historian, orator, dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare; ai shërbeu si kryeministër dhe regjent i Shqipërisë në vitin 1924 gjatë Revolucionit të qershorit.

Fan Noli nderohet mes shqiptarëve si kampion i letërsisë, historisë, teologjisë, diplomacisë, gazetarisë, muzikës dhe atdhetarizmit. Ai ka luajtur rol të rëndësishëm në konsolidimin e shqipes si gjuhë kombëtare me përkthime të shumta të kryeveprave të letërsisë botërore. Kontributi i tij në anglisht është, gjithashtu, i shumëfishtë: si studiues dhe autor i një sërë publikimesh për Skënderbeun, Shekspirin, Bethovenin, tekste fetare dhe përkthime.

Noli u diplomua në Harvard dhe u shugurua prift në vitin 1908, duke krijuar në këtë mënyrë Kishën Shqiptare dhe ngritjen e gjuhës shqipe në përdorimin kishtar. Theofani banoi për pak kohë në Shqipëri pas shpalljes së pavarësisë më 1912. Pas Luftës së Parë Botërore, Noli udhëhoqi përpjekjet diplomatike për të marrë mbështetjen e presidentit amerikan Wilson. Më vonë ndoqi karrierë politike e diplomatike, duke çuar me sukses kërkesën shqiptare për anëtarësim në Lidhjen e Kombeve.

Figurë e respektuar, Fan Nolit iu kërkua për të udhëhequr revolucionin e qershorit 1924. Më pas, ai shërbeu si kryeministër deri sa qeveria e tij u rrëzua nga Ahmet Zogut. Në dhjetor 1924, Fan Stilian Noli ikën në Itali, vendoset përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1930, dhe mori shtetësisë amerikane duke rënë dakord për t’i dhënë fund përfshirjes në politikë. Noli e kaloi pjesën tjetër të jetës si studiues, fetar, shkrimtar; vdiq më 13 mars 1965 në Florida. “Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise/Pse më përplase, më përpëlise” Dhe jeta e tij i ngjau asaj që vetë shkroi:

“Moisiu në Mal”

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë

Krye-Profeti trimi me fletë,

Të bisedonjë me Perëndinë

Për Palestinë.

Arrin në majë lart i kapitur,

Qëndron me frikë, pret i tronditur,

Dhe Jehovaj i flet prej një reje

Me zë rrufeje:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

Se liri s’doni!”

Krye-Profetit dita i ngryset

Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset

Me lot në sy, me zemër të ngrirë

I lyp mëshirë.

Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise,

Pse më përplase, më përpëlise,

Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,

Dhe sot ma preve?

“Nëm Dhen’ e Lirë! Zot ku ma ke?”

“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe.”

Së largu Zoti ia pasqyron,

Dhe e shikon.

Ja Nazareti, ja Bethlehemi,

Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,

Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,

Dhe Golgothaja,

Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë

Dhe shkretëtirën për pleqërinë,

Atje sa bukur, këtu sa zi,

O Moisi.

Këtej ka dimrin, andej prënverën,

Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën;

Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,

Liberator!

One response to “Fan Noli: “Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise?””

  1. Torontiani says:

    Fano Noli, ai…shqiptari!
    Noli, Shqiptari i Amerikes!
    Ai qe besoi deri ne fund ne Idealizmen memedhetare dhe qe u solli shqiptareve Shekspirin!
    Noli, qe sherbeu si ndermjetes me Zotit dhe besimtareve te trojeve te veta!

    Tere jeten e mbajtem larg, dhe ai nderroi jete i malluar!

    Astrit Lulushi e perbdriçon figuren e tij per ta nderuar edhe me shume se ç’besoi vete Noli se do te ndodhte me figuren e tij…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

January 2014
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031