Kosta Çekrezi – Nga brezi i të zhgënjyerve

E Diel , 30 Mars 2014
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Kosta ÇekreziMë 31 mars 1892 – Në Ziçisht, Korçë, lindi Kostandin Anastas “Kosta” Çekrezi, diplomat, historian, publicist, politikan, atdhetar. Dokumentet e shkollës tregojnë se ai ishte nxënës i shkëlqyer dhe për këtë arsye fitoi një bursë nga qeveria osmane për të studiuar në fakultetin juridik në Selanik. Pasi Shqipëria u shpall e pavarur, më 1912 deri në vitin 1914, Çekrezi punoi në Vlorë si sekretar Gjykate, pastaj si përkthyes i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit pranë qeverisë së Ismail Qemalit dhe në administratën e Princ Vidit.
Kur shpërtheu lufta e Parë Botërore, Çekrezi emigroi në SHBA. Vetëm 23 vjeç, Kosta u bë redaktor i gazetës Dielli në Boston dhe kryeredaktor i saj nga 1915 – 1919; gjatë kësaj kohe studioi për histori, ekonomi, administratë publike, dhe gjuhë angleze në Universitetin Harvard, Boston; dha leksione për histori në Universitetin Kolumbia, Nju Jork, ku shkroi edhe monografinë Albania Past and Present, cilësuar si libri i parë mbi shqiptarët nga shqiptarët, në anglisht. Sipas Robert Elsie-t, Çekrezi u kthye për pak kohë në Shqipëri në vitin 1920 për të marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes. Në vitet 1920 – 1922, u caktua përfaqësues i Shqipërisë në Uashington.

Përsëri u kthye në Shqipëri, ku punoi si këshilltar në qeveri, ndërsa mori pjesë aktive dhe si organizator në kryengritjen anti-zogiste të Fierit, 1935, e cila u shtyp – dhe Kosta u dënua me vdekje në mungesë; Çekrezi ishte hedhur në Francë, “ku u mbajt për ca kohë në kampin e përqendrimit “Vernet de l’Aiege”. Këtu, u njoh me vullnetarët shqiptarë të Luftës së Spanjës, Skënder Luarasin, Mehmet Shehun, Hulusi Spahiun, me të cilët nuk pat marrëdhënie të mira, për shkak të ideologjizmit ekstrem marksist të tyre. Këta, sipas Çekrezit, “e shkonin kohën me studime të thella të filozofisë marksiste-englesiane, për të qenë gati t’i aplikonin në sovjetizimin e Shqipërisë” (Luan Malltezi, Balkanweb, 2013).

Më 27 tetor të vitit 1941, Çekrezi i nis për në Amerikë; dhe më 28 dhjetor 1941, së bashku me Tajar Zavalanin, formon në Boston organizatën Shqipëria e Lirë, dhe gazetën Liria si organ të saj. Çekrezi kishte një urrejtje të madhe ndaj Zogut dhe qëllimi i krijimit të organizatës duket se ishte për t’iu kundërvënë njohjes së mundshme të qeverisë së Zogut në mergim, nga ana e vendeve aleate. Kjo kuptohet edhe nga një letër e Nolit dërguar Zavalanit në Londër më 1942, ku i kërkonte të mos pengonte përpjekjet e mbretit Zogut për njohjen e një qeverie në mërgim, sepse çështja lidhej me përcaktimin e fatit të Shqipërisë së pas-luftës dhe jo me formën qeverisëse. Në gjysmën e dytë të viteve 1940, Çekrezi u përpoq për afrimin e qeverisë së Tiranës me Uashingtonin dhe me vende të tjera perëndimore, por pa sukses.

Ndërsa me gazetën e tij Liria në Boston, ai u ofronte shqiptarëve të Amerikës një pamje të çelët, optimiste rreth zhvillimeve në Shqipëri në vitet e para nën komunizëm: “Me fjalët e tua, ti më akuzon, se ato që shkruhen në gazetën LIRIA, nuk i përgjigjen realitetit të Shqipërisë. Mirpo, o Qaskë, realiteti ësht ashtu siç e shikon njeriu nga pikëpamje e tij”, i shkruante Çekrezi, më 1945, një miku të tij që e kritikonte rreth qëndrimit të gazetës.

Megjithatë, si shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë jashtë, të djathë a të majtë, dënuar me mërgim të përjetshëm, edhe Çekrezi u la në hije ose nuk u përfill nga qeveria e Shqipërisë së pas-luftës – Kostandin Anastas “Kosta” Çekrezi vdiq në Arlington, Virginia, pranë Washingtonit, më 10 janar 1959, në moshën 67-vjeçare. Gazeta Liria në Boston vazhdoi të botohej deri në fund të viteve 1980 – nga Dhimitër Trebicka – në të njëjtën frymë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

March 2014
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31