Ndikimi i një fotografie

E Mërkurë, 24 Dhjetor 2008
3 comments

Astrit Lulushi

riverRivaliteti është një shprehje me burim nga kohët, kur njerëz që jetonin në brigjet e kundërta të të njëjtit lumë, përpiqeshin, grindeshin a luftonin se kush prej tyre të gëzonte a të përfitonte më shumë nga të mirat e rrjedhës. Prandaj edhe rivaliteti i brendshëm i pjestarëve të së njëjtës rrymë, pavarësisht se në çfarë fushe, aq më tepër në art, është i mirëfilltë duke gjykuar të paktën edhe nga përçarjet e rrymat e shumta, që ndeshen në botën artistike. Por shumësia e rrymave tregon edhe përsosmëri, që për artistin do të thotë kufi, amulli, plogështi, çka bien ndesh me natyrën e tij. Sepse artisti nuk pushon së qeni kërkues, ai gjen rrugë për kahje të reja, të cilat fillimisht quhen jashtëqendre apo eksentrike. Ato pranohen vetëm kur qendra humbet ndikimin ose autoritetin e vet, por edhe kur njerëzit arrijnë ta kuptojnë atë që artisti e kishte shprehur prej kohësh me veprën e tij.

jacksonpollock2Jackson Pollock është cilësuar për së gjalli si piktori më i madh bashkëkohor amerikan, si përfaqësues i ekspresionizmit abstrakt. Kur vdiq më 1956, thonë biografët, ai la pas një jetë plot ambicje, sepse gjithmonë dyshonte në madhështinë e vet. Kritikët thonë se, fillimisht, Pollok kishte qenë një piktor i paaftë dhe se pikturat e hershme të tij tregojnë një sforcim artistik. Kjo ndoshta sepse ato nuk ngjanin aspak me pikturat tradicionale, por edhe për stilin, sepse dyshemeja ishte kavaleca e tij. I mësuar duke parë indianët në shtetin Uajomi, ku u lind dhe u rrit, që vizatonin në rëre, Pollok përdori dhe perfeksionoi këtë mënyrë, duke e kthyer kanavacën në arenë dhe veten në një gladiator, i cili ndeshej me bojrat. Në fotografinë e njohur “Pollok duke pikturuar”, ekspozuar në muzeun e artit modern të Nju Jorkut, ai shihet duke punuar i përkulur mbi një sipërfaqe të gjerë kanavace në dysheme. Dhe kjo fotografi është e veçantë, jo për faktin se zë vend në një muze të njohur, as thjesht se shënoi një pikëkthesë në karrierën e piktorit, por sepse u ndikua tërthorazi nga një tjetër fotografi.

Më 1950, duke shfletuar një revistë periodike, Xhakson Pollok u shtang para një fotografie tepër të pazakontë, ku rivali i tij evropian, piktor i së njëjtës rrymë, por në bregun e kundërt, kishte dalë gjysmë lakuriq. Kjo sikur e kënaqi atë, por ajo që e bëri të shfrynte ishte se fotografia e tregonte rivalin duke pikturuar me një mjet të paparë ndonjëherë. “I mallkuar, i bërë të gjitha zbulimet, nuk le gjë për mua”, citohet të ketë thënë Pollok. Pas kësaj, ai thirri me telefon fotografin Hans Namuth, emigrant gjerman nga East Hampton, Nju Jork, i njohur për fotografitë e tij në botën e artit. Pollok i tha se donte një fotografi të ngjashme, ku ai te shihej duke pikturuar sipas stilit të tij. Dhe stili i të pikturuarit të tij ishte hedhja e bojës lart, majtas e djathtas e cila, kur binte mbi kanavacën e shtruar, krijonte efekte spontane. Për këtë mënyrë të pikturuari, Pollok cilësohej piktor ekspresionist abstrakt, ndërsa kritikët i kishin ngjitur edhe nofkën “derdhësi i bojrave”. Pas pak orësh, kur Namuth mbërriti në studio, Pollok e kishte përfunduar pikturën e tij. Ai kishte punuar i papërmbajtur, si i dehur dhe i pushtuar prej zemërimit të ndezur nga fotografia, që sapo kishte parë në revistë. Kështu, Namuthit s’i mbeti gjë tjetër, veçse të bënte një seri fotosh nga kënde të ndryshme të kanavacës së ngjyrosur në dysheme, ku Pollock ecte i përkulur, duke i dhënë veprës dorën a këmbën e fundit. Pra, për fotografin nuk ishte e mundur të fiksonte as rrjedhjen e bojrave, që “fluturonin” e as piktorin që “ndeshej” me to në “arenë”. Por kritikët thonë se, kur fotografitë e Namuthit u botuan më 1950, ato bënë që opinioni rreth Pollok-ut të ndryshonte; pikturat e tij të shiheshin me më shumë vemëndje dhe interes. Shumë shpejt Xhakson Pollok u bë një nga përfaqësuesit kryesorë amerikanë të ekspresionizmit abstrak. Vlera e veprave dhe fama e tij u shtuan, fatkeqësisht, më 1956, kur Pollok vdiq, si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ai ishte 44 vjeç.

picassoPor çfarë fotografie ishte ajo, që Pollok pa në revistë më 1949? Kush ishte piktori evropian? E, mbi të gjitha, kush autori i fotografisë? Fotografia e botuar në revistën amerikane Time mbante diçiturën: “Një Centaur i pikturuar me dritë”. Piktori në fotografi ishte Pablo Pikaso, i rrymës së kubizmit dhe ekspresionizmit abstrakt. Sa për autorsinë, ajo ishte nëshkruar thjeshtë: “Photo by Gjon Mili”.

Gjon Mili Portret, by R. Dufy, 1950

Gjon Mili Portret, by R. Dufy, 1951

Në albumin e tij “Photografs & Recollections” Gjon Mili tregon se, më 1949, revista Time e ngarkoi atë me detyrën për të realizuar një seri fotografish me personalitete të njohura në Evropë. Fotoja e parë në këtë kuadër ishte piktori francez Raul Dufy, ku ai kishte dalë duke pikturuar, ndërsa peneli mes gishtave të deformuar nga artriti gati sa nuk binte i binte nga dora. Këtë fotografi e pa një mjek i njohur në Boston, i cili u interesua që Dufy të vinte për trajtim në Amerikë, ku atëherë sapo kishte dalë ilaçi i ri Kortizon, në atë kohë i provuar dhe i sukseshëm kundër artritit. Pas kurës, Dufy u përmirësua si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht, “ndërsa unë bëra një mik të mirë”, tregon Mili. Atë vit, gjatë shërbimit të tij në Evropë, Gjon Mili u njoh e fotografoi edhe shumë artistë të tjerë të shquar, duke përfshirë piktorin Henri Matis, violinçelistin Pablo Kasal, i cili ashtu si spanjolli tjetër, Pikaso, jetonte në atë kohë në mërgim në Francë, në shenjë proteste ndaj regjimit të Frankos.

 

3 responses to “Ndikimi i një fotografie”

  1. faruk myrtaj says:

    Krijuesi tek individi njerezor, sic duket ka dicka prej Krijuesit te Madh, nese ai na e lejon kete shprehje apo kete barabitje ngjashmerish te vobekta!
    Mbase nuk bejme gabim aq te madh ne shqiptaret, se paku, kur kujtojme se po keshtu quhej operativi i sigurimit ne meme-shtetin tone: I Plotefuqishem!
    Keto dite, teksa i hidhja nje sy intervistes se kendshme, te shliret, te Ahmet Golemit (boksier, gazetar sportiv dhe krijues ne thjeshtesine e tij te pafajme), vura re se paskej qene edhe nje operativ i Lidhjes se Shkrimtareve ne Tirane!!! Mbase nje I Plotefuqishem atje, krahas titullareve te ketij institucioni gjithnje e me shume misterioz, ku duhej te lidheshin krijuesit shqiptar…

    Por fjala ishte tek vetia e krijuesit si i mevteshem, si i koke-mevetshem, si i ndjesi-mevetshem. Rasti i piktoreve te shkrimit tend, eshte ilustrimi me i mire i natyres krijuese.

    Krijuesi eshte i vecante se ai pranon te rrefehet: edhe te tjeret jane si ai, te gjithe do te deshironin te flisnin, te thoshin ate qe mendojne e ate qe ndjejne, ta bejne publike ate ate qe strehoet diku brenda tyre. Ndryshimi eshte se ne rastin e dhuntive te tjera (bje fjala te nje sportisti) njerezit nuk jane rrezikues per trajtat pushteterore te manifestimit te nevojes per realizim tek individi. Nje mekanik i mire, me tej, nje racionalizator, e shpreh veten e tij ne nje mjedis me pak te rrezikshem per te, etj.

    Krijuesi vuan se brendshmi kur nuk ekziston liria qe ia ben te mundur shfaqjen, berjen publike. Eshte naivitet, ose shtirje e madhe, e paskrupullt, te pretendohet se letersia nuk kondicionohet nga liria apo pa-liria nen te cilen gjendet krijuesi. Ose ai shtiret per te justifikuar egon e tij realizuar ne kohen nen roberi, ose ai kerkon te fsheh rrethanat ne te cilat u madhua, teksa te tjere privoheshin nga liri deri edhe lementare.

    Nuk eshte e pazakonte kjo prirje, madje njerezisht eshte e kuptueshme, deri edhe e justifikueshme per periudha te veshtira te njeriut; secili prej individeve ben te ekzistoje ne te gjitha rrethanat; madje edhe ne nje gare te papushimte brenda llojit. Nuk se eshte ndonje kompromis i madh kur pranojme se egoja tek krijuesit eshte fare e udhes.

    Ajo qe na ben ndonjehere skeptik ne hulumtimet rreth krijuesve ne fushen njeriut, eshte se mbetemi pa goje kur ne kete gare perdoren mjete suksesi qe shnderrohen ne privime per te tjeret, ne shpine te tyre.

    Prania e fotografit shqiptar ne kete rast, eshte nje kujtese per te gjithe: ne jetojme, duke lene pashmangshem gjurmet…

    urime astrit,

    faruk myrtaj

  2. kornelvan says:

    Shume interesant artikulli, urime. Kam pare dhe me ka pelqyer edhe filmi mbi Jackson Pollock. Do doja te mesoja me teper per fotografin, per mua te panjohur, Gjon Mili ku mund ta gjej ?

  3. alba says:

    prania.e.fotorafit.shqiptar.ne.kete.rast.eshte.nje.kujtese,per.te.jite.ne.lindim.dhe.rritemi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

December 2008
M T W T F S S
« Dec   Jan »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031