SHBA, Partia Republikane nderon veprimtarinë e Dioguardit

E Shtunë, 25 Prill 2009
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes

dioguardiNë Shtetet e Bashkuara, Partia Republikane në Uestçester të Nju Jorkut nderoi këto ditë (23/04/09) ish ligjvënësin Xhozef Dioguardi për rolin e tij si veprimtar politik e shoqëror në shërbim të elektoratit e vendit. Darka u shtrua në një nga sallat e hotelit Ritz Carlton në Uajt Plain, pak kilometra nga Nju Jorku. Të pranishëm ndodheshin e disa figura të njohura të partisë republikane, si  Ari Fleitcher e Dana Perino, ish zëdhënës të Shtëpisë së Bardhë. Mbrëmja u organizua me rastin e 25 vjetorit të fillimit të fushatës së zotit Dioguardi për në Kongres më 1984, ku ai shërbeu për dy mandate. Në mbrëmje të tilla, zakonisht të tjerëve u takon të flasin për njerun që kanë ardhur të nderojnë; 

“E kam njohur Dioguardin kur ai filloi fushatën për në Kongress me 1984. Kam qenë zedhenësi i tij apo sekretar i shtypit. Ruaj kujtimet më të mira, prandaj kam ardhur këtu për ta nderuar për gjithë punën që ka bërë”, thotë Ari Flaiçer, ish zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Por kjo s’do të thotë se ai që nderohet nuk mund të mos flasë. Xho Dioguardi dhe bashkëshortja e tij Sherli janë gjithmonë i gatshëm. Ata kujtojnë vitet e fushatës.

“Xho ka punuar shumë për çështjet që beson se janë të drejta”, thotë bashkëshortja e tij, Sherli.

Por, është edhe një nga ato mbrëmje ku fëmija i shpreh mirënjohje prindit. 

“Sonte ndjehem krenare. Babai im sikur na jep energji të gjithë neve. Na ka mësuar që edhe kur humbasim, sic ndodhi me të më 1989 kur nuk u rizgjodh në Kongres, me veprimet e tij na ka mësuar që të vazhdojmë me të njëjtin entuziazëm sikur të kishim fituar”, thotë Kera Dioguardi, personalitete e kulturës dhe muzikës amerikane, bija e zotit Dioguardi.

Janë mbledhur për të nderuar Xhozef Dioguardin, për dy mandate, ‘85 – ‘89, ish anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Të ardhurit janë të larmishëm. Mes tyre edhe shumë shqiptarë të Amerikës. Për ta Dioguardi është zëri mbrojtës, themelues i lobit të parë bashkëkohor shqiptar në Shtetet e Bashkuara, që mban emrin Lidhja Qytetare Shqiptaro amerikane.

Nismëtar e hartues i disa ligjeve që sot janë në fuqi, llogaritar publik, autor, fitues i disa cmimeve si veprimtar e shoqëror, mbrojtës i të drejtave, dhe kryetar i një prej lobeve më me ndikim në çështjet shqiptare në Uashington, Xho Dioguardi nderohet me këtë mbrëmje të organizuar nga Partia Republikane, familja, të afërmit dhe miqtë e tij.

Zoti Dioguardi, politikisht njejtësohet me krahun konservator të Partisë Republikane. Por ajo që tërheq vemendjen e vëzhguesve në figurën e Dioguardit është se megjithëse republikan konservator, ai ka miq të ngushtë edhe mes figurave më të njohura të Partisë Demokrate, përfshi zv/presidentin Xhozef Bajden. Xho Dioguardi përshëndetet njësoj përzërmersisht nga demokratë e republikanë, amerikanë, shqiptarë dhe italianë; të gjithë e quajnë  birin e vet. Dhe kjo ndodh vetëm në Amerikë. 

Vështirë të thuhet nëse shqiptarët zbuluan Dioguardin apo ky zbuloi shqiptarët. Deri para disa dekadash, Dioguardi dinte pak rreth prejardhjes së vet, megjithëse mendonte se e njihte mirë. Ai dinte se i ati i tij Xhozef Dioguardi i vjetri, kishte emigruar në Amerikë nga Italia më 1929.

Xho Dioguardi i riu lindi më 1940 në Nju Jork, punoi, studioi, shërbeu në Kongress dhe gjithmonë në në mbrojtje të cështjeve të ndryshme. Kur ra në kontakt me shqiptarët në vitet ’80, e filloi të dëgjonte shqip, disa fjalë iu dukën të ngjashme me ato që kishte dëgjuar nga gjyshi i tij. Kjo i zgjoi interesimi. Ai filloi të pyeste e shfletonte dhe mesoi se fshati nga kishin emigruar prindërit njihej nga italianët me emrin Greçi, por banorët vendas e quanin Katundi. Dhe këta vendas ishin arbëreshë nga përtej Adriatikut. Më pas studioi edhe më thellë dhe zbuloi se i pari i familjes Dioguardi kishte qënë një prej 2 mijë kalorësve që me në kryer Gjergj Kastriotin- Skënderbe morrën pjesë në betejen e Apulias kundër francezëve më 1461 në mbështetje të mbretit te Napolit,  Ferdinandi  i parë . Duket se napoletanët që po tërhiqeshin në humbje, kur panë ardhjen e ushtarëve nga Arbëria, menduan se Zoti kishte dërguar ushtrinë e tij për t’i mbrojtur-Dioguardi-, besëtytënitë atëherë ishin më të theksuara dhe prej këndej ndoshta rrjedh edhe emri i familjes Dioguardi. Pas betejës, një pjesë e këtyre ushtarëve qëndruan si mbrojtes a roje në oborrin e Ferdinandit, i cili i pajisi me prona e toka ku ata u vendosën, themeluan Katundin, dhe pasardhësit e tyre jetojnë edhe sot. “Ky është gjaku im arbëresh”, thotë Dioguardi. “Kur mësova këtë, nuk munda t’i shohë më shqiptarët pa përkrahje e në vuajtje; doja të bëja diçka për t’i ndihmuar”. Dhe ai bëri shumë.

“Në kohën kur une vendosa të krijoj Lidhjen qytetare shqiptaro amerikane, më 1989, në Shtetet e Bashkuara, nuk ekzistonte asnje shoqatë e mirëfillte lobiste shqiptare. Me një atdhe plotësisht të izoluar nën komunizëm dhe një Kosovë të robëruar nën Serbi, shqiptarët ndjeheshin të shokuar, të vetmuar, papërkrahje.”

Që nga ajo kohë për rreth 20 vjet Xhozef Dioguardi do të bëhej një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Organizator i protestave e demonstratave para selisë së OKB-së në Nju Jork apo para Shtëpisë së Bardhë e Kongresit në Uashington për të tërhequr vëmendjen e politikës amerikane ndaj çështjeve shqiptare apo me kontaktet e tij në Kongres, ai organizoi edhe vizita e misione ligjvënësish e senatorësh për mbledhje faktesh rreth gjendjes në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Kështu ndodhte dje kur shqiptarët sapo kishin dalë nga diktatura komuniste apo vuanin nën shtypjen e Milloshevicit. Kjo ndodh sot, ndërsa shqiptarët në dy shtete të vetat përpiqen për demokraci, begati e përparim, apo për te drejta të barabarta në vendet ku cilësohen pakicë, në Maqedoni, Mal te Zi e në Serbinë jugore.

Por kjo mbrëmje në hotelin lukzos Ritz Carlton në White Plain Nju Jork ka edhe një tjetër domethënie; është simbol i nderimit e respektit të brezit të ri për brezin e vjetër. Mbrëmja u organizua nga Partia Republikane dhe me nismën e nën kujdesin e Kerës, bija e Xhozef Dioguardit. Kera Dioguardi sot vlerësohet si një nga figurat e kulturës ee muzikës amerikane. Ajo  është juriste në  shfaqen e njohur televizive Idhujt Amerikanë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

April 2009
M T W T F S S
« Mar   May »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930