Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Të dhënat tregojnë se rritja e taksës së duhanit shkurajon njerëzit të mos pijnë cigare. Disa tani mendojnë se e njëjta strategji mund të përdoret edhe kundër mbipeshës trupore, duke vënë taksa të larta ndaj disa lloj ushqimesh. Fëmijët amerikanë aktualisht pijnë më shumë pije të ëmbëla se sa qumësht. Kjo pjesërisht për arsye ekonomike, sepse 1 litër e koka-kola, p.sh., kushton më pak se sa 1 litër qumësht.
Disa ekspertë tani kanë dale me propozimin që ndaj pijeve të ëmbëla të vendoset një taksë më e lartë. Ata argumentojnë se shtimi i taksës në paketat e cigareve ka ndihmuar në uljen e numrit të atyre që pijnë duhan. Tani, disa shtete si Maine dhe Nju Jork po shqyrtojnë një hap të ngjashëm për të pakësuar konsumimin e pijeve të ëmbla si koka-kola, pepsi-kola etj.
Studimet vazhdimisht kanë treguar se njerëzit që marrin pije të ëmbëla janë të prirur të jenë mbipeshë, konsumojnë më shumë kalori dhe janë në rrezik më të lartë për t’u prekur nga diabetet. Sipas përllogaritjeve që bëjnë ekspertët, një taksë prej 10 përqind për pijet e ëmbëla mund të pakësojë 10 përqind konsumimin e tyre. Ata thonë se edukata shëndetësore nuk po jep rezultate dhe se e vetmja mënyrë për t’i bërë njerëzit të heqin dorë nga konsumimi i pijeve të ëmbëla me kalori të larta, është t’i prekësh atje ku i dhemb; në xhepin e tyre – dhe taksa e lartë ndihmon, thonë ata.
Por edhe kompanitë e prodhimit të pijeve të ëmbëla nuk rrijnë pa kundërshtuar. Firma PepsiCo po shqyrton mundësinë e shpërnguljes së zyrave të veta qëndrore nga Nju Jorku, nëse ky shtet propozon apo lejon rritjen e taksave ndaj prodhimeve të saj. Largimi i kësaj firme do të sillte mbylljen e një numëri fabrikash të saj në këtë shtet, dhe si rezultat humbjen e vendeve të punës për mijëra banorë.