Ekspozitë për Nënë Terezën në Kongresin amerikan

E Enjte, 29 Prill 2010
1 comment

Astrit lulushi, Zëri i Amerikës

Në një nga mjediset e Kongresit amerikan mbrëmë (28 prill) u përurua ekspozita me titull: “Nënë Tereza – Gonxhe Bojaxhi,  simbol i gjallë i dashurisë dhe dinjitetit njerëzor”. Në prani të një numri anëtarësh të kongresit dhe shqiptaro-amerikanësh, ekspozitën e deklaroi të hapur, doktoreshë Liri Berisha, themeluese dhe presidente e Fondacionit Kulturor Nënë Tereza. Ekspozita është fryt bashkëpunimi mes Shqipërisë,  Diasporës  dhe Kongresit amerikan. Më 1996, me një akt të posaçëm, Kongresi e  shpalli Nënë Terezën qytetare nderi, personi i katërt i huaj me këtë status në historinë e Shteteve të Bashkuara. Shqipëria dhe Kosova e kanë shpallur zyrtarisht 2010,  vitin e Nënë Terezës, për të nderuar këtë bijë shqiptare, humaniste e nobeliste, e shenjëtore de-fakto,  e lindur 100 vjet më parë.

Në këtë takim në një nga mjediset e Kongresit kishin ardhur edhe një numër anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve, miq të shqiptarëve. Zonja Liri Berisha, presidente e shoqatës  kulturore  Nënë Tereza, falenderoi pjesmarrësit. Zonja Berisha tha se ekspozita –  me veshje karakteristike shqiptare, që kishte veshur Nënë Tereza gjatë rinisë së saj, objekte kulti fetar të përdorura nga Nënë Tereza gjatë misionit të saj jetësor bamirës, fotografi, piktura, vepra artistike dhe libra të ndryshëm kushtuar punës së saj, përfaqësojnë thjeshtësinë, ashtu siç ishte vetë jeta e kësaj murgeshe, bijë e kombit shqiptar në shërbim të humanizmit.

Të pranishmit i përshëndetën edhe disa ligjvënës, të cilët shprehën mirënjohje e nderim për veprën e Nënë Terezës dhe për shqiptarët në përgjithësi që i dhanë botës një figure të tillë si Nënë Tereza. Ambasadori i Shqipërisë Aleksandër Sallabanda falenderoi Kongresin për mundësinë e kësaj ekspozite, ndërsa ambasadori i Kosovës Avni Spahiu solli disa kujtime nga takimet e tij me Nënë Terezën duke theksuar fuqinë e saj hyjnore për t’i bërë njerëzit më të mire dhe të ndjeheshin më mirë.

Ligjvënësi Eliot Engel i dhuroi zonjës Berisha flamurin amerikan të shoqëruar me një çertificatë të posaçme në emër të Kongresit.Ky flamur, tha zoti Engel, më 19 prill u ngrit në kupolën e Kongresit, për nder të zonjës Liri Berisha.

Kryetari i Këshillit Shqiptaro Amerikan, Avni Mustafa, një nga organizatorët e ekspozitës tha se Nënë Tereza është figurë nderi për botën dhe mbarë shqiptarët, ndërsa viti i 100 vjetorit të saj shërben edhe si periudhë ndërgjegjësimi për ata që e njohin Nënë Terezën vetëm si bamirëse, por  nuk kanë dëgjuar për prejardhjen e saj shqiptare.

Edhe veprimtari Harri Bajraktari shtoi se hapja e ekspozitës në Uashington, duhet dhe do të pasohet me ekspozita të ngjashme në shumë qytete të mëdha amerikane si dhe në kryeqytete të rëndësishme të Evropës.

I pranishëm mbrëmë ishte edhe ligjvënësi Glenn Nye nga Virxhinia. Me krenari, ligjvënësi Nye thotë se është i vetmi anëtar i Kongresit që di të flasë shqip. “Kur më pyesin nëse jam me prejardhje shqiptare, unë u them se me shpirt jam shqiptar” thotë kongresisti Nye, i cili gjuhën shqipe e ka mësuar gjatë qëndrimeve me punë në Kosovë e mes shqiptarëve në Maqedoni, përpara se të zgjidhej në Kongres si përfaqësues i shtetit të Virxhinias.

Zonja Liri Berisha është mjeke pediatre. Ajo gjithashtu kryeson edhe shoqatën Fëmijët Shqiptarë, një organizatë e ngritur për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare rreth fëmijëve me aftësi të kufizuara, përfshi ata me autizëm. Dje gjatë qëndrimit në Uashington, zonja Berisha pati edhe një drekë pune me zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Mishell Obama. Ato ndoshta patën mundësi për të biseduar mbi shumë gjëra të përbashkëta, pasi dihet se edhe zonja Obama  është e angazhuar së tepërmi në veprimtari në ndihmë të fëmijëve.

One response to “Ekspozitë për Nënë Terezën në Kongresin amerikan”

  1. Petrit says:

    Te nderosh NENE TEREZEN eshte jo vetem detyre por dhe njerezore per punen e saj ne perkushtim njerezore ndaj me te varfereve ne te varferit e kesaj bote cudirash,kurse te nderosh Sali e Liri berishen kete binom te se keqes me te madhe shqiptare te pjellave kriminale te agjenturave titiso-enveriste,qe si ne kohen e diktatures enveriste qe denoncuan dhe ndeshkuan me tere fuqine antinjerezore disidentet e pishtaret e vertete te Lirise e Demokracise Shqiptare,ashtu edhe sot me politikat e tyre bastarde e korruptivo-kriminale ndeshkuan dhe po ndeshkojne opoziten e vertete me tere fuqine e pushtetit te botes se korrupsionit e te krimit.Ato te marre sebashku jane pergjegjes per shume nga krimet me makabre te bera deri me tani ne Shqiperi,eshte marri e shkuar marrise,ose ortakeri me ta,e me djallin te nderosh njerez te ketille qe ne menyrat me brutale ne emer te pushtewtit shtypin lirite e te drejtat e Shqiptareve duke vrare,grabitur pronat,dhe shkelur kushtetuten duke i dhene pushtet botes se korrupsionit e te krimit,dhe kete e ka vertetuar koha ne vite,Jane mese 5000 te vrare gjate pushtetit brutal e bastard te Sali berishas me 1997,8 pa harruar tragjedine e Gerdecit,kontrabanden e naftes dhe te armeve me ish jugosllavine e milloshevicerve,si dhe ne vitet qe vijojne viktimat e politikave te tyre(bamirese)jane me mijra deri me tani qe po ju shkruaj.Per binomin Sali e Liri berisha duhet nje gjykate qe te vendose pikat mbi I-ne,e jo te perkedhelet si simbol i lirise e demokracise simboli i se keqes shqiptare ne vite.Turp dhe marri sebashku.Nje krim i pa ndeshkuar eshte nje krim qe vazhdon ka thene me shume te drejte Prof.Sami Repishti nga AMERIKA.Besoni dhe binduni e keqja duhet luftuar e jo mbajtur ne preher sic po veprojne disa amerikane te veshur me politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930