Shpresa të reja, ndërsa sëmundja e Alzheimerit e pashërueshme edhe 103 vjet pas zbulimit të saj

E Enjte, 24 Qershor 2010
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

AlzheimerSëmundja e Alzheimerit prek miliona njerëz. Megjithëse kanë kaluar më shumë se 100 vjet  nga zbulimi i kësaj sëmundjeje që shfaqet me humbjen e kujtesës,  shkencëtarët ende vazhdojnë të punojnë për gjetjen e një kure. Kjo sëmundje shkatërron trurin e njerëzve dhe shkaku i saj mbetet i panjohur.Më 21 shtator është dita botërore e sëmundjes së Alzheimerit. Në këtë ditë, në mbarë botën njerëzit organizojnë takime e marshime për mbledhje fondesh. Për shembull, Singapori, po planifikon veprimtari publike në tri gjuhë; anglisht, malai dhe mandarin. Barbadosi do të shënojë ditën e Alzeimerit me shërbime fetare, një panair shëndeti dhe koncerte.

Përllogaritet se 30 milionë njerëz në botë vuajnë nga Alzheimeri. Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 5 milionë vetë janë prekur nga kjo sëmundje e cila gradualisht shkatërron trurin.

Alzheimeri prek kujtesën dhe personalitetin, dy cilësi që e bëjnë njeriun  të quhet individ. Kurë për Alzheimerin nuk ekziston dhe viktimat dalë nga dalë humbasin aftësinë për t’u përballur me jetën e përditëshme.

Në fillim ata harrojnë gjëra të thjeshta si për shembull emrin e një personi, ose ku e kanë vendosur një send. Ndërsa koha kalon, ata harrojnë gjithnjë e më shumë; emrat e  burrave, grave ose fëmijëve të vet. Pastaj harrojnë se cilët janë. Më në fund, ata nuk mbajnë mend asgjë; sikur truri i tyre të ketë vdekur përpara pjesëve të tjera të trupit. Viktimat e Alzheimerit vdesin nga këto pasoja ose gjendja që lidhet me këto pasoja. Por vdekja mund të mos vijë edhe për shumë kohë.

Paaftësia më e zakonëshme që krijohet nga sëmundja e Alzheimerit është njohur si dementia (demencë). Demenca është humbje e aftësisë për të menduar dhe si rrjedhim e pengon njeriun në veprimtaritë e përditëshme. Në vetëvete, demenca nuk është sëmundje por grup shenjash i disa sëmundjeve.

Disa lloj demencash mund të kurohen. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ato janë pasojë e ilaçeve, infeksioneve, problemeve të syve a të veshëve, lëndimeve në kokë, ose sëmundjeve të zemrës a mushkërive. Lloje të tjera dementiash mund të kurohen duke ndryshuar nivelet e hormoneve ose vitaminave në organizëm. Megjithatë, qelizat e trurit të viktimave të Alzeimerit vdesin dhe nuk mund të zevëndësohen.

Viktimat mund të shfaqin shenja zemërimi ose dhune ndërsa aftësia e tyre për të menduar dhe kujtuar pakësohet. Ata ndonjëherë bërtasin e lëvizin pa ndonjë qëllim. Shtypi shpesh njofton se persona të moshuar janë gjetur duke ecur në vende larg shtëpive të tyre. Ata nuk e dinë se ku janë ose nga vijnë. Këta persona shpesh vuajnë nga sëmundja e Alzeimerit.

Alzheimeri zhvillohet kryesisht ndryshe tek çdo pacient. Megjithatë, disa shenja  të para të kësaj sëmundjeje janë të njëjta. Disa viktima mund të mos i vënë re ndyshimet në veten e tyre, ndërsa të tjerët i shohin këto ndryshime dhe përpiqen t’i  fshehin.

Ndoshta shenja e parë më e zakonëshme është humbja e kujtesës së afërt. Viktima nuk është në gjendje të kujtojë diçka që ndodhi dje. Gjithashtu viktimat e Alzeimerit e kanë gjithnjë e më të vështirë të mësojnë ose përftojnë informata të reja. Dalëngadalë  të menduarit bëhet gjithnjë e më i vështirë. Viktima nuk është në gjendje të kuptojë shaka, të gatuajë ose të kryejë një punë të thjeshtë.

Një tjetër shenjë e kësaj sëmundjeje është vështirësia për të zgjidhur probleme të thjeshta. Pacientët e Alzheimerit  mund të mos kuptojnë nëse gjella në zjarr po digjet. Tjetër shenjë është mosgjetja e fjalëve për të shprehur mendimet ose për të kuptuar se për çfarë po diskutohet. Përfundimisht njerëzit me Alzheimer ndryshojnë. Personat e qetë bëhen të zhurmshëm dhe agresivë. Ata zemërohen shpejtë dhe humbasin aftësinë për t’u besuar të tjerëve.

Alzheimeri zakonisht prek persona mbi moshën 60 vjeç. Por janë zbuluar edhe raste kur të prekurit nga Alzeimeri janë më të rinj sesa 50 vjeç. Alzheimeri prek persona të të gjitha racave, megjithëse gratë preken më shumë sesa burrat. Kjo ndoshta sepse gratë jetojnë më gjatë.

Për diagnostikimin e Alzheimerit nuk ka një analizë të thjeshtë. Ndonjëherë mjekur provon kujtesën ose gjykimin e pacientit. Disa shkencëtarë thonë se dobësimi i  aftësisë së të nuhaturit mund të jetë  shenja më e qartë e zhvillimit të Alzeimerit. Mjekët që dyshojnë nëse një pacient ka Alzaimer duhet ta vizitojnë atë për shumë probleme të tjera fizike dhe sëmundja e Alzeimerit merret në konsideratë nëse analizat tregojnë se pacienti nuk vuan nga ndonjë sëmundje tjetër.

Pacientët me Alzheimer nuk mund të shërohen nga kjo sëmundje. Por shumë prej tyre mund të ndihmohen me ilaçe. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse sëmundja zbulohet herët. Agjencia Amerikane e Ushqimeve dhe Barnave ka miratuar disa ilaçe për trajtimin e simptomave të Alzheimerit. Këto barna janë dy llojesh, që jepen vetëm me rekomandimin e mjekut. Shumë prej barnave kundër simptomave të Alzheimerit quhen Cholinesterase. Ato mbrojnë një kimikat që dërgon sinjale të nevojëshme për veprimtarinë e trurit. Ato synojnë të trajtojnë kujtesën, të  menduarit, të shprehurit, gjykimin dhe veprimtari të tjera të trurit. Cholinesteraset përdoren në raste kur sëmundja është në shkallë jo shumë të zhvilluar.

Ilaçi i dytë përfaqësohet nga lloji Memantine që ndihmon veprimtarinë e një kimikati përgjegjës për përpunimin e informacionit, grumbullimin e tij dhe kujtesën. Memantine përdorët për trajtimin e pacinetëve me shkallë të zhvilluar Alzeimeri.

Kanë kaluar rreth 100 vjet që nga koha kur mjeku gjerman Alois Alzheimer (Alzeimer),  shpalli rezultatet  mbi dementian në një paciente, trurin i të cilës ai e studioi pas vdekjes së saj. Në trurin e pacientes, mjeku Alzeimer gjeti qeliza nervore qe ishin përzier me struktura ngjitëse. Studime të mëvonëshme treguan se këto fije nervore përbëheshin nga një proteinë që ka aftësi ngjitëse. Këto struktura ishin pllakëza amyloid. Një teori fajëson këtë amyloid për sëmundjen, por shkencëtarë të tjerë thonë se amyloid është pasojë dhe jo shkaktar i sëmundjes.

Ndërkohë, puna kërkimore në laboratore vazhdon. Në shtator 2009, dy grupe shkencëtarësh evropianë, që kishin punuar veças, thanë se kanë identifikuar shenja të reja gjenetike, përveç 4 gjeneve që njihen, të cilat mendohet se shkaktojnë  Alzheimerin.  Rezultatet e studimeve të tyre u botuan në revistën Nature Genetics dhe ofrojnë një kuptim më të mirë të procesit të sëmundjes, por jo një trajtim së shpejti të saj.

Më 24 qershor 2010,  gazeta The Nju Jork Tajms shkruante, se një shkencëtar amerikan, doktor Daniel Skovronski, thotë se ka zbuluar një mënyrë për diagnostikimin e saktë të sëmundjes së Alzheimerit.

Ai do t’i paraqesë rezultatet e kërkimeve të tij në një takim ndërkombëtar të Shoqatës së Alzheimerit në Honolulu më 11 korrik. Nëse zbulimi i tij konfirmohet, mjekët për herë të parë do të kenë një mënyrë të besueshme për të diagnostikuar praninë e sëmundjes Alzheimer tek pacientët me probleme të kujtesës.

Shpesh sëmundja e Alzheimerit shoqërohet me demencën apo humbjen e kujtesës. Por nga studimi i doktor Skovronskit del se shpesh demenca mund të jetë pasojë e sëmundjeve të tjera si depresioni, tiroidet, apo efektet anësore të ilaçeve të ndryshe. Kjo bën që këta pacientë të diagnostikohen gabim dhe si rrjedhim trajtohen për një sëmundje që nuk e kanë.

Doktor Skovronski ka zbuluar një metodë skanimi të trurit që i dallon pllakëzat e dëmtuara të trurit që në fazën fillestare. Ai thotë se tek shumë pacientë ka vënë re se, megjithëse nuk kishin asnjë shenjë te humbjes se kujteses, ishin kandidatë për t’u prekur nga Alzheimeri, ndërsa tek shumë të tjerë që vuanin nga demenca, nuk kishin asnjë qelizë të dëmtuar apo shenjë të Alzheimerit.

Vëzhgime të tilla bëhen nga mjekë patologë vetëm gjatë autopsisë pas vdekjes së pacientit me Alzheimer, ndërsa sipas metodës së re me skanim, ky vëzhgim i hollësishëm i trurit mund të bëhet gjatë kohës që pacienti është gjallë dhe mund të merren masa për ta trajtuar.

Para  pesë vjetësh, Doktor Daniel Skovronski, atëhere profesor ne universitetin e Pensilvanisë, ua parashtroi idenë kolegëve të tij, të cilët e pritë me mosbesim. Që nga ajo kohë, Dr. Skovronski dha dorë heqjen nga posti si profesor dhe krijoi kompaninë, Avid duke iu përkushtuar plotësisht zhvillimit të idesë së tij. Zbulimi i doktor Skovronskit shihet si një kapërcimim i madh në fushën e diagnostikimit të sëmundjes së Alzheimerit. Nëse mënyra e tij miratohet nga Administrata Amerikane e Ushqimeve dhe Barnave, vetëm atëhere ajo mund të përdoret në klinika e spitale për diagnostikimin e Alzheimerit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

June 2010
M T W T F S S
« May   Jul »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930