Shqiptarët në Detroit, 100 vjetori i Nënë Terezës

E Premte, 27 Gusht 2010
1 comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Kisha katolike shqiptare e Shën Palit në Rochester Hills, afër Detroit, organizoi dje pas dite (26 gusht) veprimtari kulturore e fetare për nder të Nënë Terezës në 100 vjetorin e lindjes. Veprimtaritë u shoqëruan me një konferencë akademike ku studiues, historianë e teologë ritheksuan vlerat humaniste e fetare të kësaj figure botërore. Gjithashtu, që prej ditës së djeshme, një shtatore e Nënë Terezës përkrah shtatores së Skënderbeut, qëndron tashmë në hyrje të oborrit të  kishës.Veprimtaritë në kuadër të Vitit të Nënë Terezës shënuan kulmin dje në 100 vjetorin e lindjes së saj. Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, por biografët thonë se ajo vetë parapëlqente të nesërmen, 27 gushtin, kur u pagëzua në kishën katolike shqiptare të Shkupit. Gjithësesi, po të ishte gjallë fizikisht, Nënë Tereza dje ose sot do të kishte mbushur 100 vjec. Dhe 1 shekull është shumë pak për “Terezën e Bekuar të Kalkutës”, thotë famullitari i kishës, Dom Anton Kçira, duke e quajtur Nënë Terezën me titullin e dhënë nga Vatikani, ndërsa ajo shihej si “shenjt” që kur ishte gjallë.

Të pranishëm kishte shqiptarë nga disa qytete e shtete të Amerikës, si dhe një grup përfaqësuesish të shqiptarëve të Kanadasë. Veprimtaritë e djeshme u hapën me një seminar, ku studiues, historianë e teologë shkëmbyen a shprehën mendime rreth Nëne Terezës, kësaj figure, e cila doli nga një komb a një fe, për t’u bërë pastaj nder i të gjithëve. Arsyet e një madhështie të tillë janë të ndryshme, perfshi perkushtmin e vetemohimin, thotë Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Amerikë, Ekrem Bardha, që e cilëson Nënë Terezën, si humanisten më të madhe që bota nxorri gjatë shekullit të XX.

Një bust i Nënë Terezës, u përurua po dje, duke u vendosur përkrah shtatores së Skënderbeut, në hyrje të oborrit të kishës, si për të grishur vizitorët. Shtatorja, skulpturë në bronx e artistit Vasiljev Nini, dhe dhuratë e vëllezërve të njohur veprimtarë Gjojcaj, u përurua në prani të përfaqësuesve të lartë të dioqezës së Detroitit.

Historikisht, Nënë Tereza është një figurë relativisht e re, vlerat e së cilës shtohen sa më shumë kohë kalon. Ka shqiptarë që thonë se Nënë Tereza bëri shumë për botën dhe pak për kombin e vet. Don Shan Zefi, nga Kosova, studues i jetës së Nënë Terezës, thotë se për nga përmasat, Nënë Tereza për shqiptarët mund të krahasohet vetëm me figurën e Skënderbeut, i cili me qëndresën e tij në shek. 15 i vuri shqiptarët në krye të listës së popujve heroikë e liridashës, ndërsa Nënë Tereza me bamirësinë si vyrtyt, u dha shqiptarëve një vend nderi në hartën botërore të kulturës e humanizmit.

Në fund të viteve ’80 kur fotografi amerikan Norman Gershman u njoh me rastet shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë pushtimit Nazist, ai u mahnit nga humanizmi i tyre dhe krahasimi që i erdhi menjëherë në mendje ishte -“Të gjithë shqiptarët janë Nënë Terezë!”; njësoj si të thoshte se bamirësia e Nënë Terezës i ka rrënjët në kulturën e kombit që e lindi, ndërsa feja përbën degët e saj. Kështu mendon edhe një nga veprimtarët e diasporës, z. Mërgin Korça, i cili thotë se bamirësia dhe besa janë të lidhura ngushtë dhe përbëjnë ndër traditat më të mira të kombit, që Nënë Tereza i kultivoi. Kështu duket se mendojnë edhe shumë shqiptarë të tjerë, që e nderojnë Nënë Terezën pavarësisht se nga janë a cfarë besojnë. (shiko reportazhin)

One response to “Shqiptarët në Detroit, 100 vjetori i Nënë Terezës”

  1. Petrit says:

    Nene Tereza lindi nga dy prinder shqiptare dhe u brumos me dhimshurine,dashurine e sakrificen katolike dhe i sherbeu sa qe ne kete bote me perkushtimin njerezor me te vaferve ne te varferit e kesoj bote cudirsh.Ajo shkoje ne boten e perjeteshme si krijesa me njerezore qe mertoi Parajsen.Zoti e bekofte perkra dishembujve.AMEN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

August 2010
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031