Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Siç dihet, trajneri i skuadrës së futbollit të universitetit të Pensilvanisë, Xho Paterno u pushua nga puna pas zërave se kishte patur dijeni për një rast ngacmimi seksual të një fëmije dhe nuk kishte bërë asgjë për t’a ndalur.
Vendimi për pushimin e tij nga puna nxiti protesta të studentëve të këtij universiteti në mbrojtje të Paternos. Por a ishin ato edhe në mbrojtje të veprimit të tij?
Psikologët kanë studiuar gjatë mentalitetin e anëtarësisë në grup, dhe kanë arritur të shpjegojnë pse njerëzit kanë prirje të mbrojnë idhujt apo udhëheqësit e tyre edhe kur këta bëjnë gabime të rënda. Sipas teorisë psikologjike, çdo person ka një identitet shoqëror, i cili varet nga të qënit anëtar i një grupi. Grupi shoqëror bëhet thelbi i atij që personi mendon se është, thotë psikologu Adami Galinsky, profesor në Shkollën Kellog të Menaxhimit në Universitetin Northwestern. Këto grupe mund të përfshijnë familjet dhe rrethet e miqve, klubet, kishat dhe shkollat, racat, kombet, partitë.. dhe lista vazhdon. Sa më shumë që një person identifikohet me një grup të caktuar, aq më me forcë mbron ai/ajo anëtarët ose idealet e këtij grupi. Ekspertët mendojnë se ky tipar ka evoluar së bashku me shoqërinë e hershme njerëzore. Bashkimi për të mbrojtur njëri-tjetrin u lejoi paraardhësve për të mbijetuar – kështu edhe sot e kësaj dite njerëzit janë të gatshëm e të shpejtë për të mbrojtur të vetët dhe të ndjejnë armiqësi ndaj grupeve rivale. Shumë shkencëtarë mendojnë se kjo psikologji në grup shpjegon racizmin paragjykimet, fanatizmin partiak madje edhe atë sportiv apo tifozërinë.
Burimi: http://www.livescience.com/