Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
A vishni rroba të ngushta? A ju shtrëngojnë ato? Një artikull në Wall Street Journal tregon shumë mënyra se si njerëzit bëhen viktima të modës me veshje që janë shumë të ngushta dhe shumë të larta.
Për hir të modës, pantallonet e ngushta janë më të mira, por jo për shëndetin, sepse krijojnë një gjendje të quajtur “meralgia parasthetika” e shfaqur me djegie, skuqje e dhimbje në lëkurë. Sipas një studimi, pantallonat “skinny jeans” gjithashtu lidhen me probleme të tretjes nga që nxisin acide në stomak, çregullime në zorrë, deri në krijimin e pllkazave të gjakut në venat e këmbëve, pa përmendur këtu vështirësinë për të lëvizur, sepse janë tepër të ngushta.
Gjithashtu për femrat, sot janë në modë rripat e gjërë rreth belit, që po të mbahen fort të shtrënguar ulin përmasën e mesit, drejtojnë qëndrimin, por mund të shkaktojnë probleme nervore dhe dhimbje stomaku.
Rrezik për shëndetin sjellin edhe këpucët me taka të larta. Ekspertët thonë se lartësia e takave mbi 50 milimetra mund të bëhet shkak për kallo, mpirje e madje frakturë.
Por me gjithë këto probleme, njerëzit priren të bëhen skllevër të modës – formë perpara substancës, stil përpara shendetit, bukuri me çdo kusht.