Jeta në Tokë – rilindje pas 10 milionë vjetësh

E Hënë, 28 Maj 2012
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Shkencëtarët e dijnë se 250 milionë vjet më parë, jeta në tokë thuajse u shua – vetëm 10 për qind e bimëve dhe kafshëve mbijetuan. Kjo periudhë quhet “vdekja e madhe”. Ndërkohë, në qarqet shkencore edhe sot vazhdon debati se si jeta rilindi – shpejt apo ngadalë? – pas kësaj krize që gjeologjikisht perfshihet në fazën e 6-të të zhvillimit te Tokës ose “Permian period”, rreth 250 milionë vjet më parë.

Të dhënat e fundit, se sa i shpejtë ka qenë ky rigjallërim vijnë nëpërmjet një studimi botuar  në revistën Nature Geoscience (27 maj) nga dy shkencëtarë; Dr. Zhong-Chen Qiang i Universitetit Wuhan në Kinë dhe Prof. Michael Benton nga Universiteti Bristol në Britani. Ata thonë se rilindja nga kriza zgjati rreth 10 milionë vjet. Dhe arsye për këtë vonesë ishte intesiteti i madh i shfarosjes dhe kushtet e zymta pas valës së parë të zhdukjes.

E ashtuquajtura ‘vdekja e madhe”, deri tani është kriza më dramatike biologjike që ka ndikuar jetën në Tokë. Ajo u shkaktua nga një numër goditjesh fizike të mjedisit – ngrohja globale, shiu acid, acidifikimi i oqeaneve dhe mungesa e oksigjenit – të mjaftueshme për të mbytur 90 për qind të qenieve të gjalla në tokë dhe në det.

Studimi tregon se kushtet e zymta të pafavorëshme për jetën ose “periudha e karbonit”, vazhduan për 5 deri në 6 milionë vjet pas krizës së parë.

Gjatë kësaj periudhe, grupe kafshësh në det dhe tokë filluan të rimëkëmben dhe të rindërtojnë ekosistemet e tyre, por jo gjithmonë me sukses. Jeta nuk arriti të ringjallej në fazat e herëshme pas krizës, sepse ende nuk ishin formuar ekosisteme të përhershme, thuhet në studim.

Por kushtet e jetës në Tokë duket se filluan të normalizoheshin pas një krize tjetër që e ktheu shumë hapa mbrapa jetën në Tokë. Krizat e karbonit, thonë autorët, u përsëritën shumë herë, deri sa më në fund kushtet u bënë përsëri normale pas 5 milionë vjetësh ose më shumë.

Me zbutjen e krizës së mjedisit, thonë autorët e studimit, ekosisteme më komplekse u krijuan. Në det, grupe të reja qeniesh, si gaforret dhe zvarranikët e parë ujorë, dolën në skenë, dhe ishin këto që formuan bazat e ekosistemeve të ardhëshme-bashkëkohore.

Profesor Benton i universitetit Bristol – një nga autorët e studimit – thotë se shpesh shfarosja në masë shihet krejtësisht si negative, por edhe në rastin më shkatërrues si 250 milionë vjet më parë, jeta rilind pas shumë miliona vjetësh, grupe të reja qeniesh lindin dhe ekosisteme të reja më të qëndrueshme krijohen. Kriza e ashtuquajtur “vdekja e madhe” ri-filloi evolucionin ose e futi atë në një rrugë të re. Meqenëse, shkaqet e asaj periudhe – ngrohja globale, shiu acid dhe acidifikimi i oqeaneve – tingëllojnë të njohura sot, njerëzimi ndoshta diçka mund të mësojë nga këto ngjarje përtej lashtësisë ose parahistorike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

May 2012
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031