Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Cerebral Palsy – Paralizë Obstetrike Cerebrale ose shkurtimisht CP, është një grup çrregullimesh që mund të përfshijë trurin dhe funksionet e sistemit nervor si lëvizjet, të mësuarit, dëgjimin, shikimin dhe të menduarit.
Për vite të tëra është menduar se një lindje e vështirë dhe faktorë të tjerë perinatalë janë shkaqet kryesore të kësaj paralize. Por ky lloj vështrimi, deri tani nuk ka nxjerrë gjë në dritë dhe sëmundja ende le shumë pak vend për shpresë, si për personin që e vuan edhe për ata që kujdesën për atë.
Me zhvillimet në fushën gjenetike, shkencëtarët thonë se paraliza obstetrike cerebrale duhet parë nga një kënd i ri. Një grup shkencëtarësh në Institutin për Kërkime Gjenetike pranë Sistemin Shëndetësor Geisinger thotë se po gjejnë gjithnjë e më shumë të dhëna se shumica e shkaqeve të paralizës obstetrike në fakt duket se vjen nga anomalitë gjenetike.
Në studimin që ata botuan në revistën “The Lancet Neurology”, thuhet se paraliza obstetrike cerebrale shkaktohet nga faktorë të shumtë gjenetikë, të ngjashëm me çrregullime të tjera neuro-zhvillimore si autizmi dhe të aftësitë e kufizuara intelektuale. Autorët sugjerojnë se mjekët duhet të përdorin si alternativë edhe kryerjen e analizave gjenetike, kur foshnjet paraqesin simptoma të paralizës obstetrike cerebrale ose shenja të ngjashme.
Studimi i kundërvihet mendimit të deri tanishëm të përgjithshëm se në shumicën e rasteve CP shkaktohet nga lindja e vështirë e cila çon në asfiksinë e foshnjes ne fetus. Autorët thonë se kanë zbuluar të dhëna se paraliza obstetrike shkaktohet nga ndryshime gjenesh të shumta – madje këto mutacione ose anomali gjenetike mund të jenë edhe vetë shkaku i disa lindjeve të vështira – deri tani ata kanë identifikuar 6 gjene si shkaktarë të mundshëm të këtij çrregullimi.
Megjithë përmirësimet e konsiderueshme në mjekësinë obstetrike, studimi sjell fakte se shkalla e rasteve të kësaj paralize në botë ka mbetur e palëvizshme për më shumë se 40 vjet – 2 deri në 3 për 1,000 lindje. Gjithashtu, autorët e studimit thonë se problemi i furnizimit jo të mjaftueshëm me oksigjen për fetusin, i njohur si asfiksi e lindjes, vazhdon të mbetet faktori më i studiuar, ndonëse vëzhgimi elektronik dhe teknologji të tjera janë zhvilluar për të zbuluar shqetësimet e fetusit. Këto përparime teknologjike kanë sjellë një rritje pesëfish në lindjet me operacione cezariane, duke shmangur lindjet e vështira, dhe përsëri, numri i rasteve të paralizës obstetrike ka mbetur i pandryshuar; fakt që i bën autorët e studimit të besojnë se gjenet luajnë një rol shumë më të madh sesa është menduar më parë, përsa i përket paralizës obstetrike.
Sipas studimit, edhe pse shumë raste të paralizës obstetrike të trurit nuk janë shkaktuar nga asfiksisa e lindjes midis 1999 dhe 2003, vlerësohet se 76 për qind e mjekëve obstretikë në SHBA u përballën me procese gjyqësore nën akuzat për neglizhencë mjekësore.
Duke e parë Paralizën Obstetrike Cerebrale si një grup çrregullimesh neuro-genetike, ndoshta kjo do të sjellë edhe një shtim të përpjekjeve kërkimore, ndryshim në qasjen diagnostike dhe përfundimisht në parandalimin ose kurimin e kësaj sëmundjeje, thuhet në studimin e botuar në revistën “The Lancet Neurology”.