Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Operacioni anashkalues (bypass) në stomak është provuar të jetë një metodë e suksesshme për humbje të peshës trupore për shumë njerëz tepër mbipeshë që nuk kanë pasur sukses me mënyra dietike. Mjekët thonë se zvogëlimi kirurgjik i stomakut mund të jetë një mjet efektiv në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit që shkaktohen nga mbipesha. Por një studim i fundit tregon se për disa pacientë, kjo procedurë kirurgjike e quajtur ‘bariatrik’, mund të ketë një efekt të padëshirueshëm anësor.
Lisa Streb është gati 45 kg më e lehtë që kur u operua në stomak.
“Ndjehem më mire, kam më shumë energji, bëj gjëra që kurrë nuk i kam bërë më parë. Nuk ndjehem e lodhur dhe nuk jam më e fokusuar në ushqim.”
Lisa është me fat, sepse para operacionit bypass në stomak asaj iu dhanë këshilla dhe paralajmërime rreth konsumit të alkoolit.
“Alkooli është një nga gjërat që ata thanë se mund të ndikojë stomakun. Pra, pjesë e asaj që unë bëj tani është mbrojtja e stomakut me çdo kusht”.
Pothuajse të 2500 pacientët që i janë nënshtruar disa formave të operacionit bypas bariatrik në 10 spitale amerikane u përfshinë në një studim për të përcaktuar nëse operimi kishte rritur rrezikun e abuzimit të alkoolit dhe varësisë prej tij.
Wendy King në Universitetin e Pitsburgut është një nga autorët e studimit.
“Në vitin e parë post-operativ, nuk u vu re ndonjë ndryshim i rëndësishëm. Por në vitin e dytë, 10,7 për qind e pacientëve shfaqën simptoma.”
70 për qind e pacientëve në studim kishte bërë një nga format më të zakonshme të operacionit të stomakut që quhet Roux-en-y.
Operacioni mund të kryhet duke hapur barkun ose duke përdorur një tub të vogël laparaskopik.
Tek pacientët të cilët u operuan me metodën bypass Roux-en-y, ushqimi dhe alkooli lëviznin me shpejtësi përmes zorrës së vogël dhe procesi i absorbimit ishti shumë më i shpejtë .
Shkencëtarët thonë se këta pacientët arrijnë nivelin e tolerancës alkoolit më shpejt, ndërsa disa të tjerë kanë vështirësi të kontrollojnë sasinë e alkoolit që konsumojnë.
Shkencëtarët nuk kanë gjetur një rritje në përdorimin e alkoolit mes pacientëve që i janë nënshtruar një lloji tjetër operacioni që është më pak kirurgjik dhe nuk merret me prerjen e ndonjë pjese të stomakut dhe zorrës së hollë. Megjithatë;
“Është e rëndësishme që të gjithë pacientët e konsideruar për operacion bariatrik duhet të paralajmërohen për një rrezik të mundshëm përsa i përket konsumit të alkoolit.”
Studimi u botua në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë.