Pse flemë?

E Mërkurë, 23 Janar 2013
1 comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

sleepGjithkush ka nevojë për gjumë dhe kjo nevojë është sasia e gjumit që çdo organizëm kërkon për t’u rizgjuar i rigjallëruar.

Shuma mesatare e gjumit të nevojshëm ndryshon gjatë periudhave të jetës, sidomos gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Edhe pse ekziston një shumë mesatare gjumi, sasia e gjumit gjithashtu ndryshon nga personi në person – çka e bën gjumin gjenetik apo të përcaktuar nga gjenet e çdo individi.

Sipas Fondacionit kombëtar të Gjumit – National Sleep Foundation – SHBA, foshnjet nga 3 në 11 muaj kanë nevojë për 14-15 orë gjumë në 24 orë; nga 12 në 35 muaj duhet 12-14 orë; parashkollorëve 3 – 6 vjeç u duhet 11- 13 orë gjumë; fëmijët nga 6 në 10 vjeç kanë nevojë për 10 – 11 orë; adoleshentët nga 11 – 18 vjeç kanë nevojë për 9 orë e gjysmë gjumë; dhe të rriturit për një mesatare prej 8 orësh në 24 orë.

Përllogaritet se një të tretën (1/3) e jetës, njeriu e kalon në gjumë.

Çfarë ndodh nëse nuk plotësohet nevoja për gjumë? Duke mos fjetur sa duhet, personi grumbullon një borxh që zakonisht duhet paguar (me gjumë). Kjo mund të përfshijë gjumin shtesë. Nëse njeriu fle më pak sesa trupi ka nevojë, ai/ajo ndjen lodhje, vështirësi në të menduar, shton rrezikun për aksidente, komplikime shëndetësore (p.sh., shtim në peshë). Megjithatë, disa studime të kohëve të fundit kanë treguar se borxhi i gjumit nuk mund të shlyhet.

Qëllimi dhe funksioni i gjumit vazhdojnë të mbeten kryesisht mister. Vetëm në dekadat e fundit shkencëtarët kanë filluar të zbulojnë disa nga sekretet e tij. Ekzistojnë të paktën 3 teori pse njeriu fle.

Teoria e riparimit; është shpjegimi më i pranuar, që sugjeron se gjumi rikthen në jetë indet dhe përgatit trupin për të nesërmen. Kjo mund të përfshijë pastrimin e neuro-transmetuesve të akumuluar nga truri, si dhe riparimin e indeve në të gjithë trupin.

Teoria e adaptimit; është shpjegim alternativ që thotë se gjumi rrit aftësinë për të mbijetuar. Ndërsa nata mund të jetë e rrezikshme, sidomos nga kafshët grabitqarë, kjo i shtynë qeniet për të kërkuar një strehë të sigurt. Duke shmangur rreziqet, kafsha jeton gjatë dhe ka më shumë gjasa për të riprodhuar – kështu, gjumi bëhet një përparësi për t’u përshtatur.

Teoria e konservimit; sipas kësaj teorie, gjumi është një mjet për të ruajtur energjinë. Gjatë gjumit, metabolizmi ngadalësohet, kështu që nevoja e përgjithshme për kalori është e pakët. Në qoftë se koha shpenzohet zgjuar, njeriu nuk mund të ketë ushqim të mjaftueshëm për të mbijetuar

Ka teori që thonë se gjumi duket të ketë funksione të tjera por që ende nuk njihen. Gjithësesi mendohet se gjumi e ndihmon njeriun të mësojë, rafinojë dhe konsolidojë kujtimet. Gjumi ndihmon në forcimin e sistemit imunitar. Pavarësisht nga qëllimi ose funksioni, gjumi është, qartë, një nga aktivitetet më të domosdoshme të jetës, dhe ndoshta një për të cilat dihet shumë pak. Kjo çon në mundësi për spekullime filozofike dhe analizë të vetvetes – nëse shtrirë me sy në tavan, në pritje për gjumë, lind pyetja: Pse flemë? – Mos ndoshta për të parë atë që zgjuar nuk arrihet?

One response to “Pse flemë?”

  1. Hysen Gashi says:

    Gjumi ashte i domosdoshem per jetezgjatesin e njeriut,Sikur
    se asht nata me diten per gjitha krijesat e kesaj bote,Fleme per tu
    zgjuar te pushuar.Zgjohemi per diten e re me ngarkesat e reja te
    menyrave tendryshme te jetes ,fleme per te pushuar,regjeneruar, dhe
    harruare ngarkesat mendore lodhjet fizike ,psiqike dhe ekonomike te
    kohes sa ishim te zgjuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

January 2013
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031