Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Kanceri i prostatës është i dyti, pas kancerit të lëkurës si lloji më i përhapur mes amerikanëve. Sipas shoqatës amerikane të kancerit, këtë vit pritet të diagnostikohen gati 239 mijë raste të kancerit të prostatës. Ky lloj kanceri prek kryesisht burrat e moshuar.
Një studim i ri tregon një lidhje midis ushtrimeve fizike dhe uljes së rrezikut për kancer në prostatë. Studimi i botuar në revistën “Cancer” morri në shqyrtim 307 burra të moshës 62 deri 71 vjeç, për të parë nëse ushtroheshin fizikisht.
Kur pjesmarrësit në studim iu nënshtruan biopsisë së prostatës, mjekët zbuluan se burrat që kryenin fizkulturë në mënyrë të moderuar kishin më pak gjasa të diagnostikoheshin me kancer të shkallës së lartë në prostatë, në krahasim me ata që bënin një jetë pa aktivitete fizike.
Çfarë saktësisht është ushtrimi i moderuar?
Ecja rreth 100 hapa për 1 minutë, ose 3 mijë hapa për 30 minuta, quhet ushtrim me intensitet të moderuar. Ndërsa një studim i ri thotë se numri i hapave për të arritur intensitet stërvitjeje të moderuar për burrat është 92 deri 102 hapa për 1 minutë, ndërsa për gratë 91 deri 115 hapa për 1 minutë.
Në SHBA, rekomandimet federale thonë se një person duhet të kryejë 150 minuta në javë ushtrime të moderuara për të patur një shëndet normal. Studime të ndryshme kanë sugjeruar se stërvitja me intensitet të moderuar – si ecja – mund të jetë po aq e dobishme sa edhe ushtrimet shumë të fuqishme.
“Por kjo paraqet një sfidë, sepse përfitimet shëndetësore janë të varur nga intensiteti i aktivitetit”, thuhet në një studim në revistën Journal Amerikane të Mjekësisë Preventive. Autorët thonë se për shkak se përfitimet shëndetësore mund të arrihen me periudha të shkurtra që zgjasin të paktën 10 minuta, është njësoj e dobishme që personi të përpiqet për të bërë 1 mijë hapa në 10 minuta, para se të shkojë deri në 3 mijë hapa në 30 minuta, dhe se individët mund të monitorojnë progresin e tyre duke përdorur një hap-matës të thjeshtë dhe një orë dore.