Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Disa shkencëtarë thonë se zbulimi i një “sasie të konsiderueshme” uji në mostrat shkëmbore të mbledhura në Hënë nga astronautët gjatë misioneve Apollo, sfidon teorinë e shumë-kohëshme në lidhje me mënyrën se si u formua Hëna.
Që nga epoka e anijeve Apollo për vajtje ardhje në hapësirë, shkencëtarët kanë menduar se Hëna u krijua kur një objekt qiellor me përmasat e Marsit u përplas me Tokën në historinë e herëshme të planetit – duke shkaktuar shkëputjen e shumë copave. Këto mbetje u bashkuan ngadalë gjatë endjes prej miliona vitesh në hapësirë dhe perfundimisht formuan një trup që sot quhet Hënë.
Ky proces bëri që hidrogjeni – element formues i ujit – të dalë në hapësirë. Dhe pikërisht këtë pikë të teorisë sfidon studimi i ri, duke patur parasysh sasinë e ujit të gjetur thellë në shkëmbinjtë e mbledhur nga sipërfaqja e Hënës në fillim të viteve 1970, gjatë misioneve Apollo 15, 16 dhe 17. Me “ujë”, shkencëtarët nuk kanë parasysh “ujin e lëngshëm”, por hydroxyl, element kimik që përmban dy elementët përbërës të ujit – hidrogjen dhe oksigjen.
Këto elemente mund të kenë qenë në Hënë gjatë të gjithë kohës, thonë autorët e studimit të ri, dhe shtojnë se ndikimi (përplasja e objektit qiellor në tokë) mbetet skenari më i mirë për të shpjeguar formimin e hënës.
Studimi, nga shkencëtarë të Universitetit Notre Dame, shteti Indiana, u botuan në revistën Nature Geoscienceon me 17 shkurt.
Studimet e mëparëshme kanë sugjeruar se elementi ujë-formues shkoi në Hënë nga burime të jashtme, pas ftohjes së kores së planetit, dhe se era diellore – rrjedhë e grimcave që burojnë nga dielli – si dhe meteorites dhe kometat mund të kenë qenë burime të mundshme të depozitave të ujit në Hënë.
Por studimi i ri, thotë se kjo nuk shpjegon sasinë e ujit që ata gjetën në mostrat e gurëve hënorë.
Për shkak se hydroxyl u gjet thellë në mostrat shkëmbore, autorët e studimit të ri e eliminojnë erën diellore si faktor për praninë e ujit, sepse këto grimcat nuk kanë aftësi të futen aq thellë nën sipërfaqen e gurëve. Edhe pse një goditje nga një asteroid ose kometë mund t’a shtyjë hidrogjenin më thellë, guri nuk është në gjendje ta përballojë goditjen, dhe as nxehtësinë e madhe që krijohet duke bërë që guri të shkrihet.
Shkencëtarët shqyrtuan mostra të sjellë nga misionet Apollo, përfshirë edhe të famshmin “Rock of Genesis – Guri i Zanafillës”, që u quajt kështu pasi vjen nga një kohë e largët prej 4.5 miliardë vjetësh, rreth të njëjtës kohë kur Hëna mendohet të jetë formuar.
Duke përdorur një spektromatës me rreze infra të kuqe, studiuesit gjetën ujë ngulitur në Gurin e Zanafillës, si dhe në të gjitha mostrat e tjera që sollën astronautët gjatë misioneve Apollo në Hënë. Kjo nënkupton se zonat e ndryshme të uljes së anijeve Apollo 15, 16 dhe 17, ku u mbodhën këto mostra, secila prej tyre kishte ujë.
Studimi i ri hedh, gjithashtu, poshtë analizat e herëshme të gurëve të Hënës, sipas të cilave gurët ishin të thatë dhe ndonjë grimcë uji e gjetur kishte qenë rezultat i ndotjes kur astronautët i sollën në Tokë.
Autorët e studimit të ri sjellin si argument edhe faktin se instrumentet e viteve ’70 – 80, kur u analizuan këto mostra, nuk ishin shumë të ndjeshëm në krahasim me aparaturat që u përdorën gjatë studimit të ri.