Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Prishja e gjumit dhe ritmeve të tjera trupore që shpesh shoqërojnë depresionin klinik mund të lënë një shenjë në tru. Një studim i aktivitetit të gjeneve në trurin e njerëzve të cilët kanë vuajtur nga depresioni zbulon një çrregullim në ritmin e përditshëm qarkullues (circadian). Rezultatet u publikuan në Procedurat e Akademisë Kombëtare të Shkencave (SHBA).
Studimi tregon qartë një lidhje mes çrregullimit të këtij ritmi dhe depresionit.
Tek gjitarët, ritmet e gjumit, ciklet e hormoneve dhe zakonet e ngrënies udhëzohen nga një ‘orë’ kryesore në tru, për ritmet e të cilës kujdesen pjesërisht gjenet dhe modelet e dritës dhe errësirës. Kjo ‘orë kryesore’ mund të dalë jashtë sinkronizimit me orët gjetkë në tru dhe trup dhe ky çrregullim sjell ndryshime psikologjike.
Eshtë konstatuar gjithashtu, se njerëzit me depresion shpesh kanë çrregullime në ritmet e trupit. Por mekanizmat molekulare dhe qelizore prapa këtyre çrregullimeve kanë qenë të vështirë për t’u përcaktuar.
Autorët e studimit i bënë çështjes një qasje të re të pazakontë. Ata shqyrtuan mostra truri pas vdekjes të 34 njerëzve që kishin patur depresion dhe 55 njerëzve të cilët nuk kishin vuajtur nga depresioni. Të gjithë ata kishin vdekur papritmas, nga goditje në zemër apo vetëvrasje, dhe truri i secilit ishte vënë menjëherë në akull.
Pasi përcaktuan se sa kohë pas lindjes së diellit kishte ndodhur vdekja e secilit person, shkencëtarët shqyrtuan se cilët gjene ishin aktivizuar në gjashtë rajonet e trurit. Midis personave jo-depresivë, përcaktimi i gjenit të aktivizuar ishte mjaft i dukshëm; aktiviteti i gjenit, për shembull, vazhdimisht arritinte kulmin në agim, e një tjetër në mesditë. Por në trurin e një personi që kishte vuajtur nga depresioni, aktiviteti i gjenit nuk ishte edhe aq i parashikueshëm.
Çdo tru i analizuar në studim tregoi aktivitetin e gjenit vetem në një pikë, në kohën e vdekjes.
Studimi nuk tregon nëse depresioni shkakton prishje të ritmit qarkullues të organizmit, por konfirmon një lidhje dhe mund të çojë në hetime të proceseve fiziologjike që preken prej depresionit.
BURIMI: http://www.sciencenews.org/view/generic/id/350401/description/Bodys_clock_linked_to_depression_