Një tekst që mund të jetë kopja më e vjetër e një ungjilli të njohur – një fragment i Ungjillit sipas Markut që është shkruar para vitit 90 – pritet të publikohet. Aktualisht, kopjet më të vjetra të mbijetuara të teksteve ungjillore datojnë në vitet 200.
Fragmenti është shkruar mbi një fletë papirusi, e cila ishte ripërdorur më vonë për të krijuar maskën e një mumieje. Edhe pse mumiet e faraonëve egjiptianë mbanin maska prej ari, njerëzit e thjeshtë përdornin maska të bëra nga fletë papirusi – edhe papirusi ishte i shtrenjtë, prandaj shpesh njerëzit ripërdornin fletët që më parë ishin përdorur për të shkruar mbi to
Vitet e fundit shkencëtarët kanë zhvilluar një teknikë që lejon zamin ngjitës të maskave të mumjeve të zhbëhet pa dëmtuar bojën mbi letër – kështu, teksti mbi fletët e papirusit mund të lexohet. Ungjilli i shekullit të parë është një nga qindra tekste të reja që një grup shkencëtarësh dhe studiues janë duke punuar duke përdorur këtë teknikë. Ata kanë nxjerrë në dritë dokumente të lashta nga shekujt e parë, dytë dhe të tretë – jo vetëm dokumente biblike, por edhe tekste klasike, letra personale, madje edhe tekste filozofike dhe kopje të tregimeve nga Homeri.
Dijetarët të cilët punojnë në këtë projekt duhet të nënshkruajnë një marrëveshje konfidencialiteti që kufizon informacionin që ata mund të bëjnë të ditur publikisht. Ka disa arsye për këtë marrëveshje. Njëra është se disa nga pronarët e maskave thjesht nuk duan të bëhen të njohur, Ata gjithashtu ruajnë pronësinë e fletëve të papirusit apo të maskave.
Dhe tani po flitet rreth papirusit të zbuluar vetëm sepse një anëtar i ekipit nxorri në web disa nga informacionet në vitin 2012 – menjëherë dolën spekulimet mbi metodat e përdorura për të kuptuar moshën e ungjillit.
Mendohet se shkencëtarët kanë përdorur metodën e karbonit-14, duke e kombinuar me studime të shkrimit në fragment dhe dokumente të tjera të gjetura së bashku me ungjillin. Këto konsiderata çuan studiuesit në përfundimin se fragmenti i ungjillit është shkruar para vitit 90. Edhe pse fragmentiështë i shkurtër, teksti do të ofrojë të dhëna nëse Ungjilli i Markut ka ndryshuar me kalimin e kohës.
Kërkimet janë fokusuar në analizimin e teksteve të maskave të mumjeve, në përpjekje për të përcaktuar se si njerëzit i kanë përdorur ato. Kjo mund të japë informacion mbi mënyrën se si tekstet biblike janë kopjuar me kalimin e kohës.
Besohet se shkrimet origjinale dhe kopjet e tyre më të hershme kanë qenë në qarkullim për 100 vjet në të shumtën e rasteve – në disa raste shumë më të gjatë, madje deri 200 vjet. Kjo do të thotë se shkruesi i një dokumenti të shekullit të tretë në fakt mund të ketë shkruar mbi një fletë origjinale të shekullit të parë.
Ekipi i shkencëtarëve do ta botojë vëllimin e parë të teksteve të marra përmes maskave të mumjeve më vonë këtë vit. Ishte shpresuar që publikimi të kryehej në vitin 2013 ose 2014. Përfitimi i vonesës është se mund të ketë informacion shtesë në lidhje me këtë ungjill të shekullit të parë dhe rreth teksteve të tjera të ngjashme.