Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Kryetari i Bashkisë së Bostonit, Thomas Menino u bën thirrje banorëve t’i hedhin një sy vetes për të parë se sa mbipeshë janë.
Kohët e fundit Bostoni u rendit i treti mes qyteteve më të shëndetshëm të Amerikës, sipas revistës Forbes.
Por obesiteti vazhdon të jetë problem; 50 për qind e të rriturve në Boston janë mbipeshë. Kjo shifër është mbi 60 përqind mes zezakëve dhe hispanikëve, ndërsa shqetësues është fakti se 1 në 3 fëmijë të moshës shkollore në Boston janë mbipeshë ose tepër mbipeshë.
I njohur për moton ”..qëllimi i qeverisë është që të ndihmojë në përmirësimin e jetës së njerëzve..”, kryebashkiaku Menino shpalli këto ditë strategjinë e për të luftuar obesitetin në qytetin e tij. Ai u bëri thirrje bostonianëve që të gjithë së bashku këtë vit të humbasin 500 mijë kg peshë trupore.
Disa masa për rënien nga pesha që kryebashkiaku i Bostonit ka përfshirë në strategjinë e tij janë;
– Ofrimi i huave të vogla pa-interes për kopshtet që këto të përmirësojnë ushqimin e fëmijëve.
-Zgjerimi i programit shumë të suksesshëm i cili lejon njerëzit të përfitojnë dyfshishin e vlerës së dollarit kur ata blejnë ushqime në tregjet e fermerëve
-Përmirësimi i menuve në restorantet e qytetit për t’i bërë ushqimet më të shëndetëshme.
Në përpjekje për të luftuar mbipeshën, vitin e kaluar, kryebashkiaku Menino ndaloi shitjen dhe reklamimin e pijeve të ëmbla në të gjitha ndërtesat nën pronësinë e Bashkisë.
Thomas Menino është mjaft popullor; ai vazhdon të shërbejë si Kryetar i Bashkisë së Bostonit që prej vitit 1993 duke u zgjedhur në vitin 2009 për mandatin e tij të pestë, ndërsa zgjedhjet për një mandat të gjashtë afrohen.