Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Gjatë një simpoziumi organizuar nga korporata amerikane Gen-Probe në San Diego, një grup shkencëtarësh shpallën se kanë zhvilluar nje mënyrë të re për analizën e urinës, që mund të përmirësojë dukshëm diagnostikimin e kancerit në prostat. Gjatë kësaj analize, mjekët shqyrtojnë imtësisht dy gjene të ndërlidhur a bashkuar me njëri-tjetrin. Kjo ndërlidhje ndodh tek rreth 50 përqind e pacientëve me kancer në prostat. Gjatë studimit shkencëtarët morrën në shqyrtim burra që dyshoheshin se kishin kancer në prostat dhe zbuluan se analiza e urinës ishte më e saktë se sa analiza e gjakut për të parashikuar praninë ose mungesën e këtij lloj kanceri.
Çdo vit, mbi 200 mijë amerikanë diagnostikohen me kancer në prostat. Mënyra e tanishme për diagnostikimin e këtij kanceri është një analizë gjaku e quajtur PSA, që kryhet një herë në vit për të matur nivelin e një proteine. Tek pacientët me kancer në prostat, niveli i kësaj proteine shënon rritje.
Por analiza PSA shpesh është e pasaktë, prandaj shkencëtarët menduan që krahas analiizës së gjakut të shtonin edhe analizën e urinës për të parashikuar më mirë se cili nga pacientët ka kancer në prostat dhe cili tumor është më i prirur për t’u rritur e përhapur.
Gjatë kësaj analize, shkencëtarët përpiqen të gjejnë qeliza që kanë dy gjene të bashkuar a të ndërlidhur.
Gjatë studimit me pjesmarrjen e 500 burrave që dyshohej se kishin kancer në prostat, analiza e urinës doli 85 përqind e suksessshme në klasifikimin e personave që nuk kishin shenja kanceroze. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj analize të urinës, shkencëtarët arritën të zbulonin kancer në prostat në 42 përqind të rasteve.
Shkencëtarët thonë se gjatë analizës së urinës, tek burrat që u zbulua se kishin gjene dyshe në gjakun e tyre, gjasat ishin që tumorët në prostat të ishte më agresiv e më të ndjeshëm ndaj hormoneve dhe këta pacientë kishin nevojë për trajtim të menjëherëshëm.
Analiza e re po i nënshtrohet tani studimeve të tjera dhe ende nuk ka filluar të kryhet në klinika. Por mjekët shpresojnë se studimet në proces do të tregojnë se kjo analizë do të përbëjë një mjet të vlefshëm për zbulimin e kancerit të prostatës dhe përcaktimin e shkallës së agresivitetit të tumorit.