Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Për të patur një zemër të shëndetëshme, duhen luajtur këmbët, thuhet në një studim të kohëve të fundit. Ecjet e gjata që ndihmojnë për djegjen e kalorive mund të përmirësojnë faktorët që ndikojnë në sëmundjet e zemrës. Madje ecje të tilla, sipas studimit, rekomandohen edhe për personat që sapo kanë kaluar një sëmundje kardiake dhe janë në procesin e rehabilitimit apo rikthimit në jetën normale.
Për dekada, mjekët i kanë këshilluar pacientë që kanë përjetuar goditje në zemër që të kryejnë ushtrime të lehta fizike, dhe tani studimi tregon se këta persona mund të jetojnë më gjatë sesa ata që nuk zbatuan këshillat e mjekut në këtë drejtim.
Këto këshilla kanë mbetur thuajse i pandryshuara që prej viteve 1970, por studimi i ri tregon se shëndeti i pacientëve mund të përfitojë edhe më shumë nëse ushtrimet fizike shtohen.
Mjekët pranë universitetit të Vermontit morrën në shqyrtim 74 pacientë që ndodheshin në procesin e rehabilitimit pasi kishin pësuar goditje në zemër. 50 përqind e tyre kryen ushtrime fizike të zakonshme si ecje, ngarje biçiklete ose vozitje me varkë. Koha e ushtrimeve të tyre ishte 30 minuta, 3 herë në javë. 50 përqind e pacientëve të tjerë kryen ecje për 45 minuta deri 60 minuta, thuajse cdo ditë.
Pas 5 muajsh, pacientët që kishin kryer ecje të gjatë kishin një përmirësim më të madh në nivelet e sheqerit në gjak dhe kolesterinës, në tensionin e gjaku dhe ndjeheshin më mire fizikisht. Ata gjithashtu humbën 10 kg të peshës trupore në krahasim me 4 kg që humbën pacientët e tjerë që kryen ushtrime të zakonshme e 3 herë në javë.
Ekspertët thonë se edhe ushtrimer pa shumë sforcime si ecja mund të ndihmojnë në djegjen e mijëra kalorive në javë në se kryhen shpesh.