Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shumë njerëz përpiqen dhe mendojnë se kanë bërë përparim. Por një studim tregon se disa nga këto përparime mund të jetë vetëm në mendjen e tyre. Pyetja që bëhet ndonjëherë është se a funksionon truri me kapacitet të plotë? dhe a përdoret ai plotësisht? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve ekzistojnë një numër programesh e lojrash që premtojnë se ndihmojnë që truri të punojë më me shpejtësi dhe efektivitet, njësoj si ushtrimet fizike ndihmojnë muskujt e trupin.
Por një studim i ri botuar në revistën Nature tregon se shumë nga këto programe janë të paefektshme dhe qëllimi i prodhuesve të tyre është thjesht tërheqja e konsumtarorëve për fitime financiare.
Në studim u përfshinë rreth 11 mijë vetë. Shkencëtarët u dhanë atyre detyra të ndryshme kompjuterike të projektuara për të përmirësuar kujtesën, arsyetimin, planifikimin, dhe aftësitë vizuale. Shkencëtarët vunë re se pjesmarrësit arritën të përmirësonin aftësitë për kryerjen e disa detyrave të veçanta mendore për të cilat ata ishin ushtruar. Por kur atyre iu dhanë detyra për të cilat mendja ishte e papërgatitur, shkencëtarët vunë re se pjesmarrësit nuk ishin në gjendje për t’i transferuar këto aftësi në kryerjen e detyrës së re. Studiuesit argumentojnë se pa një transferimi të tillë, nuk ka trajnim të vërtetë e trurit.
Shumë njerëz vazhdojnë të zgjidhin fjalë kryqe, kriptograme apo lojëra matematike, që janë argëtuese dhe nxitëse, megjithëse nuk ka ende asnjë provë bindëse se këto ushtrime e bëjnë njeriun më të zgjuar.