Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Në një raport të lëshur këto ditë, ekspertë federalë të shëndetësisë thonë se veprimtaria fizike ndikon në strukturën e trurit tek fëmijët e shkollave. Në shkollën e mesme në Naperville, në perëndim të Çikagos, fëmijët që kanë vështirësi në matematikë dhe lexim, fillimisht shkojnë në palestër. Qëllimi është për të nxitur veprimtarinë në trurin e tyre. Edukimi fizik mund të zhvillohet kudo, në palestër e në klasë. Shkencëtarët thonë se kjo shkollë në Naperville duket se ka zbuluar diçka.
Në Universitetin e Ilinoit, kërkimet e Dr Charles Hillman tregojnë se pas një 30 minuta ushtrimesh fizike, aftësia e nxënësve për të zgjidhur një problem matematike rritet 10 përqind.
Dr Hillman, thotë se të dhënat tregojnë se edukata fizike shton vemendjen e nxënësve në mësime dhe shpejton procesin e marrjes dhe përpunimit të informacionit në tru.
Në Naperville, programi ka hyrë në vitin e pestë. Nxënësit pjesmarrës në këtë program mund të lexojnë në të njëjtën shkallë cilësie me atë të nxënësve të viteve më të larta. Edhe notat në lëndën e matematikës tek këta nxënës janë përmirësuar më shumë se 20 përqind.
Shkencëtarët thonë se ushtrime fizike stimulojnë trupin dhe trurin, së bashku. Truri përgjigjet duke aktivizuar neuro-transmetuesit dhe ato që quhen faktorët e rritjes së trurit. Doktor John Ratey pranë shkollës mjekësore të Harvardit thotë se kjo është mënyra që njeriu merr njohuri, sepse kur qelizat në tru ndryshojnë, ato rriten, dhe ushtrimet fizike e stimulojnë trurin për t’a bërë këtë.
Kjo nxënëse në Naperville, më parë merrte nota të dobta, ndërsa tani është e para e klasës. Fizkultura ndihmon, thotë ajo. Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë, është pranuar si urtësi, por megjithatë, trupi dhe truri vazhdojnë të mësohen veç e veç. Në këtë shkollë të mesme në Napervill të shtetit Ilinoi, nxënësit dhe mësuesit po zbulojnë se trutë dhe muskujt janë të lidhur më shumë sesa mendohej.