Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një analizë e re mjekësore mund të zbulojë tuberkulozin në më pak se dy orë. Ekspertë të Shëndetësisë thonë se kjo mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e diagnostikimit dhe trajtimit të tuberkulozit, duke shpëtuar njëkohësisht jetën e miliona njerëzve. Analiza e deritanishme për diagnostikimin e Tuberkulozit mund të jetë e ngadalshme. Pacientëve u merret spuma ose gëlbaza, e cila dërgohet në laborator ku mbahet, përpunohet, vëshgohet deri sa të shfaqet mikrobi. Mjekët thonë se një analizë e tillë nuk është e besueshme, si dhe kërkon kohë e laborantë të kualifikuar. Dr Gary Simon kryeson departamentin e sëmundjeve infektive në Universitetin George Washington. Ai thotë se atij i duhen ditë dhe javë për të përfunduar një analizë të tillë e për të përcaktuar diagnozën.
Tani, shkencëtarët thonë se kanë zhvilluar një pajisje për kryerjen e analizës, që merr vetëm 90 minuta për të dhënë rezultatin dhe është më e saktë sesa mënyra e deritanishme.
Dr. David Persing është nënpresident i kompanisë Cepheid me bazë në Kaliforni që prodhon këtë pajisje. Ai thotë se pajisja është e thjeshtë dhe nuk kërkon një laborant a teknik të posaçëm. Provat tregojnë se analiza e re është 98 për qind i saktë.
Dr. Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Shëndetit thotë se kjo mënyrë e re e shpejtë diagnostikimi do të luajë një rol të rëndësishëm në diagnostikimin TBC-në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara. Sipas mënyrës së re, pacienti mund ta marrë përgjigjen e analizën pa u larguar nga klinika, dhe jo si deri tani kur personi pret në shtëpi me ditë a javë, duke u bërë edhe rrezik infektimi për njerëzit për rreth.
Pajisja e re tani duhet të shpërndahet në zonat ku tuberkulozi është më i përhapur.Por kostoja e lartë shihet si një pengesë për përdorimin e pajisjes në vendet në zhvillim. Pajisja e re për kryerjen e analizës së tuberkulozit mund të kushtojë deri në 30.000 dollarë. Por ekspertët thonë se me kalimin e kohës, ky çmim pritet të bjerë. Madje, kompania Cepheid, që prodhon këtë pajisje, thotë se mund t’ua shesë pajisjen zonave të vrafëra për më pak se 10 mijë dollarë.