Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shumë njerëz që marrin ilaçe kundër dhimbjeve mund të mos e dijnë se disa prej këtyre barnave shtojnë rrezikun për goditje në tru dhe probleme në zemër. Një grup barnash të njohur si N-S-A-I-D janë njohur prej kohësh si të rrezikëshme. Efektet e mundshme anësore i vërteton edhe një studim i kohëve të fundit. Prova të reja kanë treguar se barna të ndryshme jo-steroidale kundër pezmatimeve të njohur gjithashtu si NSAID, mund të krijojnë rreziqe për goditje në zemër. Shkencëtarët në Danimarkë shqyrtuan të dhënat shëndetësore të mbi një milion pacientë që kishin marrë barna të grupit NSAID kundër dhimbjeve gjatë një periudhe 8 vjeçare. Të dhënat treguan se ilaçi Voltaren kishte shtuar 91 përqind rrezikun për goditje në zemër ose në tru. Ibuprofen e shtonte këtë rrezik 21 përqind, ndërkohë që barnat Naproxen ose Aleve nuk shkaktonin ndonjë shtim rreziku. Që nga viti 2005, të gjitha ilaçed NSAID përmbajnë në etiketën ku paralajmërohet mbi shtimin e mundshëm të rreziqeve për sëmundje kardio-vaskulare.