Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Më shumë njerëz vdesin nga goditjet në zemër në dimër sesa në çdo stinë tjetër. Dhe këto raste arrijnë kulmin në tri ditë të veçanta; Krishtlindjet, ditën pas Krishtlindjeve dhe ditën e vitit të ri.
Pse?
Një arsye mund të jetë i ftohti. Temperaturat nën zero mund të ndikojnë venat dhe presionin e gjakut, duke e detyruar zemrën të punojë më shumë.
Arsye të tjera mund të jenë sëmundjet si, gripi, të ftohurit dhe pneumonia, më të shpeshta në stinën e dimrit dhe që sjellin më shumë vështirësi veçanërisht për njerëzit me sëmundje zemre.
Po ashtu, pastrimi i borës me lopatë mund të shkaktojë jo vetëm dhimbje mesi, a ndrydhje muskujsh por edhe goditje në zemër që mund të jetë fatale.
Një arsye tjetër për numrin e lartë të vdekjeve gjatë stinës së dimrit mund të jetë edhe pasiviteti. Njerëzit qëndrojnë brenda më shumë dhe ushtrohen më pak fizikisht.
Por edhe vetë festa mund të ndikojë negativisht për shëndetin.
Është vënë re se gjatë ditëve të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, njerëzit nuk e përfillin kujdesin mjekësor, për të mos prishur atmosferën festive ose ndoshta jepen shumë pas festimeve dhe harrojnë barnat apo dietat e tyre.
One response to “Goditjet në zemër, më të shumta gjatë festave”
Po, eshte e vertete.Mendoj se nje factor tjeter qe ndikon ne rritjen e goditjeve ne zemer ne ditet e festave jane edhe emocionet qe perjetojne njerzit(sidomos ata me gjendje ekonomike te dobet) para e gjate ketyre diteve.