Urtësi psikopatësh

E Enjte, 25 Tetor 2012
1 comment

Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes

Rruga drejt një posti është e vështirë, e përpjetë, rrëshqitëse, e ndotur në se krahasohet me një shtyllë të lyer me graso, në majë të së cilës qëndron shpërblimi.

Për t’u ngjitur, njeriut i duhet të jete i përqëndruar, këmbëngulës, egocentrist, pamëshirë, paskrupull, paempathi, të harrojë çdo vlerë veç asaj materiale, të tjerët t’i shtyjë, t’i shkelë dhe këta të mos e kundërshtojnë pasi nga fitorja e tij mund të vjelin ndonjë të mirë; është psikologjia e garës drejt postit në shekullin e 21, ku intelekti ze vendin e dytë.

Shfrytëzimi i mirësisë së tjetrit – marë për dobësi – fitore me çdo kusht a mjet janë “veti”, megjithëse nxisin, përdoren a motivojnë njësoj një vrasës – me përjashtim se ky i fundit ndjek rrugën e krimit.

Psikopatët janë njësoj, ata ndahen vetëm në varësi të rrugës që zgjedhin – funksionalë dhe jo-funksionalë. Kjo, pak-a-shumë është edhe linja e librit “Wisdom of Psychopaths”, ku autori Kevin Dutton, doktor psikolog në universitetin e Oksfordit, Angli, bën një udhëtim tërheqës në jetën e psikopatëve dhe sjelljet e tyre tepër dinake e të përllogaritura.

Duke u mbështetur në kërkime e studime mjekësore e shoqërore, autori zbulon se të gjithë njerëzit deri-diku kanë një shkallë çmendurie.

Duke ndërthurur përparimet më të fundit në teknologjinë e skanimit të trurit dhe në neuroshkencë, Dr. Dutton thotë se një drejtues maniak, një neurokirurg i shkëlqyer a një polic i tejzellshëm kanë shumë gjëra të përbashkëta me një “Ted Bundy” që vret për kënaqësi, ose me një shofer që zihet për një vend parkimi. Në fakt ky i fundit ka të njëjtën shkallë sjelljeje të papërmbajtur me një “psikopat funksional”, që ua bën vartësve jetën të padurueshme, shfrytëzon gjendjen e tyre nevojtare për t’iu gëzuar pushtetit. Por ndryshe nga homologët e tyre vrasës, në disa fusha, sa më shumë “psikopatë” këta funksionarë janë, aq më të ngjarë ka që të ngjiten në pozita më të larta.

Duke shtjelluar teorinë e tij se të gjithë njerëzit kanë prirje psikopatie, Dr. Kevin Dutton vë përpara argumentin që shoqëria si tërësi është sot më shumë se kurrë e “çmendur”, ku njerëzit priren të jenë të verbër-të guximshëm, vetë-vlerësues, karizmatikë të sipërfaqshëm, të pandjeshëm, të pangopur, amoralë, të fiksuar në një ide, “cilësi” për të sukses në kohën tonë.

Duke përcjellë optimizëm përmes një rruge të errët, siç është sëmundja e psikopatisë, dhe duke provokuar mendim nga faqja-në-faqe (280), libri “Wisdom of Psycopaths” botuar nga Scientific American 2012, duket se është për çdo njeri që kërkon të njohë më shumë veten dhe të tjerët ose që përpiqet të gjejë çelësin e suksesit.

One response to “Urtësi psikopatësh”

  1. belkize says:

    ma se e vertet e si ta parandalojm? Ate mund ta parandalojm vetem ne duke punuar-jetuar me energji pozitive ndaj sfidave qe na i parashtron jeta pershendetje me respekt

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

October 2012
M T W T F S S
« Sep   Nov »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031