Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Të dhëna të reja konfirmojnë se shkalla e përgjithshme e vdekjeve nga kanceri në Shtetet e Bashkuara është duke u ulur. Në vitin 2009, rastet e vdekjes nga kanceri ranë 20 përqind në krahasim me vitin 1991, kur vdekjet nga kjo sëmundje shënuan kulmin.
25 për qind e vdekjeve në Shtetet e Bashkuara ndodhin për shkak të kancerit. Por shifrat e fundit nga Shoqata Amerikane e Kancerit tregojnë se sëmundja e ka humbur disi kontrollin e saj – rastet e vdekjeve vazhdojnë të pakësohen për 4 llojet kryesore të kancerit; të mushkërive, zorrës së trashë, të gjirit dhe prostatës. Përmirësime më të mëdha në mbijetesën kanë ndodhur për leukiminë dhe Limfomës-Hodgkin.
Edhe numri i rasteve të reja të kancerit është në rënie; megjithëse vihet re një rritje përsa i përket melanomës së lëkurës dhe kancereve në mëlçi, tiroide dhe pankreas. Gjatë dekadës së fundit rastet e kancerit pankreatik mes burrave dhe grave janë rritur ngadalë.
Studimi parashikon se në vitin 2013, në Amerikë do të ketë përafërsisht 1 milion e 700 mijë raste të reja kanceri dhe 600 mijë vdekje nga kjo sëmundje
Shoqata amerikane e Kancerit thotë se këto shifra mund të përmirësohen më tej nëpërmjet edukatës shëndetësore në parandalimin e kancerit për të gjithë segmentët e popullsisë – me theks të veçantë në shtresat e varfëra dhe pakicat.