Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shumë vëmendje është përqendruar në studimin e shumëllojshmërisë së gjenomit të njeriut, dhe që të kuptohet kjo, shkencëtarët kanë nevojë për të matur diversitetin gjenetik të të afërmve më të afërt të njeriut, majmunëve.
Shkencëtarët në Institut de Biologia Evolutiva në Spanjë, gjatë një studimi, zbuluan se historia gjenetike i shimpazeve doli të jetë shumë më komplekse se ajo e njerëzve. Kjo për arsye se popullsia njerëzore pësoi një tkurrje kur doli nga Afrika, dhe pastaj një zgjerim që kur filloi të kolonizojë të gjithë planetin. Në të kundërt, popullsitë e shimpanzesë kanë pësuar të paktën 2-3 raste tkurrje dhe zgjerimi.
Gjetjet, gjithashtu zgjidhin një debat të nxehtë mbi numrin e nënllojeve të shimpanzeve, duke i ndarë tani në dy grupe dhe jo katër siç mendohej më parë.
Zbulimi i ri botuar në revistën Nature, nuk ndryshon pozicionin e njeriut në pemën e madhe të evoluimit. Llojet e shimpanzeve dhe bonobos mendohet ende të jenë të afërmit më të ngushtë të njeriut, me një ndarje prej tyre rreth 5 milion vjet më parë.
Megjithë ngjashmërinë gjenetike midis njerëzve dhe shimpanzeve, të dy llojet janë krejt ndryshe. Disa shkencëtarë kanë mbrojtur hipotezën se dallimet rrjedhin nga pjesët e “humbura” të gjenomit të njeriut krahasuar me gjenomin e majmunit. Por studimi i ri hedh poshtë këtë teori duke treguar se pjesët e humbura ishin kryesisht jofunksionale.
Dhe pyetja që shtrohet është; Nëse jo gjenet, atëherë çfarë i bën njerëzit të jenë ndryshe nga kushërinjtë e tyre shimpanze? Shkencërisht, përgjigjia nuk dihet. Autorët e studimit thonë se gjenomi i ngjan një libri, i cili deri tani vetëm po lexohet; dhe kjo nuk është njësoj si t’a kuptosh atë.
One response to “Majmuni dhe njeriu, jo dhe aq të afërt”
[…] Astrit Lulushi, Zëri i […]