Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një studim i ri nga Shkolla e Shëndetit Publik në Universitetin e Marylandit tregon se ushtrimet fizike mund të përmirësojnë funksionin e trurit të personave në rrezik për Alzheimer, duke përmirësuar efikasitetin e veprimtarisë së trurit përsa i përket kujtesës.
Humbja e kujtesës që çon në sëmundjen e Alzheimerit është një nga frikat më të mëdha mes personave të moshuar. Ndërsa një humbje relative e kujtesës është normale dhe pritet me moshën, një diagnozë e dëmtimit të butë të aftësisë njohëse, ose MCI, sinjalizon humbje të konsiderueshme të kujtesës dhe një rrezik të madh për Alzheimer, sëmundje për të aktualisht nuk ka shërim.
Studimi jep shpresë të re për personat e diagnostikuar me MCI, dhe është i pari që tregon se një trajtim me ushtrime fizike për të moshuarit (mosha mesatare 78-vjeç) me dëmtim të butë të aftësisë njohëse, përmirësoi jo vetëm kujtesën, por edhe funksionin e trurit. Rezultatet u publikuan në Journal of Alzheimer’s Disease.
Sipas studimit, pas 12 javësh të përfshirjes në një program me ushtrime të moderuara, pjesëmarrësit (nga 66 deri 88 vjeç) përmirësuan efikasitetin e tyre nervor, dhe arritën të përdornin më pak burime nervore për të kryer të njëjtën detyrë të kujtesës. Sudimet e deritanishme kanë treguar se nuk ka asnjë ilaç që të jetë në gjendje të sjellë një rezultat të tillë që u arrit vetëm me ushtrime fizike, thonë autorët.
Studimi këshillon se ushtrime të përditëshme të moderuara fizike (150 minuta në javë) bëjnë mirë për Trupin dhe Trurin.
One response to “Fizkultura, ilaçi më i mirë kundër Alzheimerit”
Njerezit te cilet marrin barera kunder Pezmatimi nuk perjetojne Alzheimer. Keshtu tha nje mjek apo shkencetare gjerman. Ai kishte ngjyrosur trurin e nje te vdekuri nga kjo semundje me ngjyren blu dhe kishte verjet se ne tru ngjyra po ndryshonte vende-vende dhe ka ardhe ne perfundim qe mund te jete e mundur qe pezmatimi ne tru shkaton kete semundje dhe se mund te sherohet edhe me medikament te lire.