Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes
Më 22 tetor 1964 – Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”. Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se “një shkrimtar nuk duhet t’a lejojë veten që të shndërrohet në institucion”.
Sartri (1905 – 1980) ishte filozof, dramaturg, novelist, skenarist, aktivist politik, biograf, dhe kritik arti. Në vitin 1946, fotografi i njohur shqiptaro-amerikan, Gjon Mili hapi një ekspozitë me fotografitë e tij në Paris. Zhan Pol Sartri, në rolin e kritikut e vizitoi ekspozitën dhe shkroi:
“…Para se t’a takoja Milin, kisha njohur vetëm fotografë që të nxjerrin në fotografi nisur nga një lloj zemërimi, si ai që vret. Mili nuk fyen; ai pëlqen çdo gjë: të ngrënët, të pirët, vallzimin. Harlemin e njeh më mirë se çdo i bardhë, Nju Jorkun, më mirë se kushdo tjetër. Ai është njeri i qeshur. Të vret – më keq akoma – kërkon të robërojë…, të mban në kurth të gjallë, në fotografinë e tij, dhe ti vazhdon të luftosh me veten, si peshku në rrjetë. Mili është njeri i kurtheve…. Ai është plot marifete që të ç’armatosin; çdo fotografi e tij është provë, përpjekje. Për Milin, mënyrat për të fotografuar janë të shumta sa edhe njerëzit. Nëse të ka zgjedhur për të përfshirë në koleksonin e vet, ai jo vetëm që do të ngulë me thumb në tabelën e specieve të tij, të gjitha si të gjalla, por do të vëzhgojë a shqyrtojë për të njohur thellë e më thellë….Thuhet se banorët primitivë të deteve të Jugut nuk pranojnë të fotografohen, sepse besojnë se mund të bëhen përgjithmonë robër të fotografit. Për të kuptuar urtësinë e tyre ju duhet vetëm të shikoni disa nga portretet e Gjon Milit.” (marrë nga “Photographs & Recollections” by Gjon Mili, 1980)