Kur vdiq Gjergj Kastrioti

E Premte, 17 Janar 2014
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Gjergj Kastrioti - SkanderbegPo priste. Ishte hera e parë në 25 vjet që ushtria e tij kishte shkuar pa të, prijësin e saj,  në betejë. Dhe ja ku i pa te vinin duke rendur e thirrur “Fitore!, Fitore!!”. Dhe shpresa iu ngjall se ata do të mund të mbijetonin. Kështu do të shkruante Barleti për atë 17 janar 1468 kur në Lezhë, vdiq Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (63 vjeç), luftëtar, diplomat, burrë shteti, Heroi Kombëtar i shqiptarëve.

Për Skënderbeun, vitet deri më 1468, kur vdiq, ishin rënduar me tensione, nga veprimtari e negociata jashtë, dhe beteja papushim brenda vendit. Në vitin 1463, pas premtimeve nga Papati, Venediku dhe shtete të tjera në Itali dhe Evropën qendrore për organizimin e një kryqëzate kundër Perandorisë Osmane, veçanërisht, pasi fushata ishte shpallur zyrtarisht nga vetë Papa Pius II, Skënderbeu e shkeli traktatin e paqes me sulltan Mehmetin.

Papa papritur vdiq, dhe kryqëzata e premtuar nuk ndodhi, ndërsa trojet shqiptare iu nënshtruan një shkatërrimi sistematik. Por ishte vdekja e Skënderbeut që shqiptarët të braktisin të gjitha shpresat. Legjenda thotë se, kur sulltan Mehmet II dëgjoi se Skënderbeu vdiq, bërtiti: “Më në fund Evropa dhe Azia janë të mijat. Mjerë Krishtërimi që humbi shpatën dhe mburojën”.

Historiani Edward Gibons (1737 – 1794) e ka krahasuar Skënderbeun me “Aleksandrin e madh dhe Pirron, bashkëatdhetar i të cilëve Kastrioti ishte”. Pas vdekjes së Heroit, shumë prijsa e princa të Arbërisë u shpërngulën në Itali. Një numër i madh banorësh (dhjetra mijëra) emigruan gjithashtu, duke formuar koloni të mëdha arbëreshe në Italinë e jugut dhe Sicili. Të tjerë u nisën drejt Greqisë, mbetën atje, u shpërndanë edhe ishujve, kishte edhe nga ata që më pas kaluan detin, u hodhën në Itali e prej andej gjetkë, në Evropën perëndimore.

Fortesat kryesore si Kruja dhe Shkodra vazhduan rezistencën edhe për disa vite pas vdekjes së Skënderbeut, dhe pastaj ranë. Historianët thonë se të pakët janë udhëheqës të luftrave për çlirim, si Skënderbeu, të cilët kanë gëzuar njohje kaq të gjerë të veprave të tyre në rrjedhën e pesë shekujve. Një bibliografi botuar më 1881, përmbante 185 vepra historike, filozofike dhe romane mbi Skënderbeun. Ndërsa bibliografia e botuar në Tiranë (1968) me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, përman mbi një mijë tituj në 21 gjuhë, ndër të cilat edhe në Esperanto.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

January 2014
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031