Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes
Poema “Raven” (Korbi) u botua për herë të parë në gazetën Evening Mirror në Nju Jork më 29 janar 1845 dhe autori Edgar Allan Poe (1809 – 1849) përdori pseudonimin Quarles në këtë botim. Stili i poemës ishte i ri, ashtu edhe emri i rremë i autorit. Më vonë, Poe do të shprehej në esenë e tij “The Poetic Principle ” se nuk i pëlqente didaktizmi dhe alegoria, edhe pse besonte se kuptimi në letërsi duhet të jetë nën sipërfaqe. Shkrimet me kuptime të dukshme, shkruante ai, pushojnë së qeni art. Poe besonte se shkrimi i mirë duhet të jetë i shkurtër dhe të përqëndrohet në një efekt të veçantë. Ai besonte se shkrimtari duhet të llogarisë me kujdes çdo ndjenje dhe ide. “Këtë mënyrë rigoroze, ndoqa kur shkrova poemën “Korbi”, thotë Poe në esenë “The Philosophy of Composition”.
THE RAVEN, Edgar Allen Poe
1
“Once upon a midnight dreary, while I pondered, weak and weary,
Over many a quaint and curious volume of forgotten lore —
While I nodded, nearly napping, suddenly there came a tapping,
As of some one gently rapping, rapping at my chamber door.
“Tis some visiter,” I muttered, “tapping at my chamber door –
Only this and nothing more.”
Për njohjen e Poes në shqip, një rol të madh si përkthyes luajti Fan Noli në fillim të shekullit XX, kur ndërmorri nismëm për të sjellë në shqip kryeveprat botërore. Në këtë listë, ai futi edhe poemën Korbi. Noli duket se një tjetër gjë pati parasysh; të jetosh në Amerikë, është e lehtë të harrosh se shumica e botës nuk flet anglisht, dhe se shumica e letërsisë në botë nuk është shkruar në gjuhën angleze. Për të lexuar më të mirën e asaj që pjesa tjetër e botës shkruan – dhe për pjesën tjetër të botës të përjetojë letërsinë më të mirë – shkrimtarë të aftë duhet të punojnë në artin e përkthimit. Por kjo nuk është thjesht dy ngjyrëshme. PërkthimI i mirë është pasqyra ku origjinali sheh veten, por përkthimi gjithashtu duhet të qëndrojë më vete për një audiencë të re. Më poshtë, e njëjta strofë e Korbit, e shqipëruar nga Noli.
KORBI
1-
“Një mes-natë të bezdisur
Tek këndonja i zalisur
Disa pralla dhe magjira
Të një shkence të harruar,
Tek dermitnja i kapitur
Befas vjen një e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmi derë t’ odës sime.
“Dikush është, thashë, jashtë
Që troket mi derën time –
Vetëm kjo, dhe asgjë më.” (shq. Noli)
Përkthyer nga Arjan A. Bejko, (revista «Mehr Licht» Nr.36) gati një shekull pas Nolit, kjo strofë e Poes vjen e tillë:
KORBI
1-
“Një mesnatë të zymtuar, mëndjevrarë, shpirtlënduar
Përmbi libra plot enigma, të një lënde të harruar,
Lodhur, gati në dremitje, befas ndjeva një trokitje.
Mjaft të lehtë, si fanitje, pak të ndrojtur përmdi derë
Ndonjë mik është, pëshpërita, që vjen e troket në derë –
Vetëm kjo, dhe tjetër jo.” (shq. Bejko)
Dhe, marrë nga Koha Jonë, përkthyesi Aleko Ballauri e ndjen kështu:
KORBI
1-
“Një mesnatë të trishtuar, po mendoja i drobitur, i dërrmuar.
Dhe qëndroja mbi një vëllim të harruar, me kokën mbi të.
Një trokitje kam dëgjuar, një goditje shumë të lehtë.
Që ishte gati në të shuar te dera, përmbi të.
Ndonjë vizitor troket te dera , po mendoja për këtë.
Kjo do të jetë, asgjë më.” (shq. Ballauri)
Siç tregojnë 3 variantet e mësipërme (të trija të suksesshme) të së njëjtës strofë, përkthim të fjalëpërfjalshëm nuk ka, dhe se nga natyra e të zgjedhurit të një fjale, varet suksesi i përkthimit por edhe i origjinalit. Dhe të mendosh se përzgjedhja e fjales është vetëm fillimi, sepse të lexuarit, tingëllimi, ritmi gjithashtu luajnë rol në transmetimin e ndjenjes, mendimit, kuptimit, sidomos kur është fjala për përkthimin e poezisë. Dallimet kohore, rajonale e pervoja gjuhësore mund jenë faktorë – dhe arsyeja pse 3 përkthyes bëjnë që e njëjta poezi të shijohet ndryshe.