Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Më 3 shkurt 1924 – Vdiq Woodrow Wilson, ish-president i SHBA-së 1913 – 1921. Për Wilsonin është folur; shqiptarët e kanë cilësuar atë si mikun e tyre më të madh, ndërsa amerikanët si një nga presidentët më të mirë. Thonë se Wilsoni ishte edukator prandaj u bë edhe politikan. Kjo duket nga rruga që ndoqi për në Shtëpinë e Bardhë.Emrin e kishte Thomas Woodrow Wilson, lindi më 28 dhjetor 1856 në qytetin e vogël jugor Staunton, Virginia, në fëmijëri e rini e thërrisnin Tommy. I ati ishte prift presbiterian, puna ia kërkonte të lëvizte kudo nëpër Amerikë, veçanërisht në jug. Kujtimet më të hershme të Wilsonit (9 vjeç) ishin ato të Luftës Civile; ai pa ushtarët e Bashkimit duke marshuar në qytetin e mundur Augusta, Xhorxhia; nënën e tij duke ndihmuar ushtarët e plagosur në spital; komandantin e përgjithshëm të forcave të jugut Robert E. Lee kur kaloi nëpër qytet nën rojet e Bashkimit pas dorëzimit në Appomattox. Tommy gjithashtu pa varfërinë dhe shkatërrimin e jugut gjatë viteve të para të Rindërtimit.
Edhe pse i shqetësuar nga shikimi i dobët dhe dysleksia që vonon të mësuarit për të lexuar, Wilson ishte një djalë normal dhe nuk humbi aspak kohë. Në vitin 1873, Tommy 17 vjeç regjistrohet në Kolegjin Davidson në Charlotte, Karolina e veriut. Pastaj hyri në fakultetin juridik të Universitetit të Virxhinias, avokatura nuk i pëlqeu, e la, shkon në Universitetin Johns Hopkins, Baltimore dhe merr Ph.D. në shkencat historike e politike.
Në moshën 28 vjeç, Wilson martohet me Ellen Louise Akson, 25 vjeç. Deri në vdekjen e saj në gusht 1914, ajo do të ushtrojë ndikim të fortë, duke e inkurajuar për të punuar për mirëqenien e të varfërve dhe për reforma politike dhe ekonomike. Wilson dëshironte të bëhej politikan, kishte ëndërruar të bëhej senator për të arritur presidencën. Më 1888 pranoi pozitën si professor i jurisprudencës dhe ekonomisë politike në Princeton, ku dha leksione për dymbëdhjetë vitet e ardhshme.
Gjatë kësaj kohe, Thomas Wilson botoi nëntë libra, duke përfshirë një biografi të George Washington dhe një histori pesë vëllimesh të Shteteve të Bashkuara. Kur u emërua president i Universitetit Princeton bordi drejtues priste thjesht disa reforma. Por presidenti i parë jo klerik i kësaj shkolle, e transformoi institucionin e vjetër në universitet modern. Wilson bëri emër.
Në vitet e fundit në Princeton, ai u kontaktua nga Partia Demokrate në lidhje me kandidimin për guvernator të Nju Xhersit në vitin 1910; Wilson ra dakord, thonë se ai nuk kishte nevojë për fushatë, të gjithë e njihnin, dhe fitoi. 2 vjet më vonë atë e priste Shtëpia e Bardhë.