Shumica e ligjeve të natyrës i trajtojnë grimcat dhe antigrimcat në mënyrë të barabartë, por yjet dhe planetet janë bërë nga grimca, dhe jo nga antigrimca; kjo asimetri, e cila favorizon materien, ka shumë vite që shqetëson shkencëtarët.
Studimi i ri nga fizikantë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles (UCLA), ofron një zgjidhje të mundshme për misterin e origjinës së materies në univers.
Asimetria materie-antimaterie mund të lidhet me grimcën Higgs, thotë studimi.
Zbulimi i grimcës Higgs në Hadron Collider, në Zvicrës, në vitin 2012, u përshëndet si një nga arritjet e mëdha shkencore të dekadave të fundit. Grimca Higgs ose ‘Higgs boson’ shihet si element i rëndësishëm i teorisë moderne të forcave të natyrës.
Nëse një grimcë dhe një antigrimcë takohen, ato zhduken duke emituar (çliruar) dy fotone, ose disa grimca të tjera – kjo është origjina e universit, sipas teorisë së shpërthimit të madh. Në këtë ‘supë primordiale’ pas Big Bengut, ka pasur sasi thuajse të barabartë grimcash dhe antigrimcash. Ndërsa universi ftohej, grimcat dhe antigrimcat asgjësuan njëra-tjetrën në numër të barabartë – dhe nga kjo ‘luftë’ mbetën vetëm një numër i vogël grimcash, që janë të gjitha yjet, planetet, dhe gazi në gjithësinë e sotme.