Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Kirurgjia LASIK në sy është përdorur për të korrigjuar shikimin e njerëzve që ata të eleminojnë nevojën për syze ose lente kontakti. Kjo procedurë është miratuar 15 vjet më parë nga Administrata amerikane e Ushqimeve dhe Barnave. Por tani, një ish nëpunës i kësaj agjencie qeveritare, shpreh shqetësime mbi sigurinë e operacionit LASIK Një përmbledhje studimesh në të gjithë botën rreth operacionit LASIK tregon, se 95 përqind e atyre që i janë nënshtruar një operacioni të tillë janë të kënaqur me rezultatet.
Gjatë këtij operacioni, mjekët përdorin rreze lazer për të ndryshuar përgjithmonë formën e korneas për të përmirësuar shikimin. Ushtria amerikane e konsideron operacionin Lasik aq të sigurt, sa që kjo procedurë kryhet shpesh tek ushtarët e rinj.
Por tek disa njerëz, shikimi është dëmtuar përgjithmonë si pasojë e këtij operacioni. Ata shohin turbullt, dhe kanë probleme të shohim gjatë natës.
Disa njerëz kanë humbur punën dhe nuk janë në gjendje të kryejnë funksionet bazë, siç është ngarja e makinës, për shkak pasojave nga operacioni LASIK.
Tani, Morris Waksler, njeriu i cili kryesonte dikur zyrën qeveritare për shqyrtimin e të dhënave mbi efektshmërinë e operacionit LASIK, thotë se efektet anësore të procedurës Lasik nuk janë marrë mjaft seriozisht.
Ai thotë se agjencia ku ai kishte punuar, duhej të kishte siguruar mbikëqyrje më të mirë dhe duhej të kishte vendosur standarte më të rrepta rreth përdorimit të operacionit Lasik. Agjencia e Barnave tani është duke hetuar ankesat e pacientëve të dëmtuar dhe është duke hartuar një raport rreth këtyre problemeve.
Gjithashtu, kjo agjenci po i kërkon krijuesit të aparateve që përdoren për kryerjen e operacionit Lasik që të përmbushin disa standarde të cilat do të ndikonin në pakësimin e efekteve anësore.
Administrata e Ushqimeve dhe Barnave nuk kontrollon kryerjen praktikave të ndjekura në mjekësi në SHBA. Ajo kujdeset që aparatet mjekësorë, si dhe të gjitha barnat që hidhen në treg, të jenë të padëmshëm për pacientët.