Hepatitet; higjena personale dhe vaksina si mënyra më të mira parandaluese

E Hënë, 22 Nëntor 2010
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Mëlçia ndodhet në pjesën e djathtë të sipërme të stomakut. Ajo është një organ i kuq i errët dhe i madh – peshon më shumë se një kilogram. Mëlçia  kryen një punë të madhe – ndihmon në pastrimin e gjakut dhe lufton infeksionet, shpërbën ushqime dhe rezervon energji për t’u përdorur kur trupi ka nevojë për të. Hepatiti shkatërron qelizat e mëlçisë. Disa lloje të hepatitit janë shumë më të rënda se sa të tjerat. Për të përcaktuar llojin e hepatitit, mjekët kryejnë analiza të gjakut për të njëjtësuar antitrupat. Antitrupat janë proteina të veçanta që organizmi prodhon si përgjigje ndaj një kërcënimi. Duke njëjtësuar antitrupat, mjekët identifikojnë sëmundjen.Hepatiti A përhapet zakonisht me anë të ndotjeve në ujë a ushqim. Ky lloj hepatiti bën pjesë në të njëjtin grup virusesh si ato që shkaktojnë poliomelitin.

Hepatiti A virus shkakton temperaturë të lartë trupore, dhimbje e dobësi, si dhe probleme me stomak dhe zorrë, duke vështirësuar ngrënien e tretjen e ushqimit. Gjithashtu, lëkura e një personi me hepatit A mund të bëhet e verdhë. Kjo është një shenjë që mëlçia nuk është duke vepruar normalisht.

Për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së hepatitit A, higjena e duarve ka shumë rëndësi. Njerëzit duhet të lajnë duart para daljes nga banjoja dhe para se të përgatisin ose hanë ushqim.

Hepatiti A mund të përhapet shpejt por virusi është vdekjeprurës në më pak se 1 për qind të rasteve. Shumë njerëz të infektuar me virusin e hepatitit A nuk ndjehen të sëmurë, por ata që sëmuren, zakonisht shërohen brenda dy muajve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se hepatiti A gjendet shpesh në Afrikë, Azi dhe Amerikën Qendrore dhe Jugore. Njerëzit të cilët kanë pasur hepatit A nuk mund të preken përsëri prej tij. Ekziston një vaksinë për parandalimin e hepatitit A. Qendrat amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se vaksina është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga hepatiti A.

Hepatiti B
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se deri në dy miliardë njerëz janë të infektuar me virusin e hepatitit B. Më shumë se 350 milionë e të infektuarve mbeten të tillë gjatë gjithë jetës. Zyrtarë të OBSH-së thonë se rreth 600 mijë njerëz vdesin çdo vit si rezultat i hepatitit B, dhe se vaksina është 95 përqind efikase në parandalimin e zhvillimit të infeksionit.

Hepatiti B përhapet kur gjaku nga personi i infektuar hyn në trupin e një personi tjetër. Një nënë e infektuar mund të infektojë fëmijën e saj. Virusi mund të përhapet edhe nëpërmjet aktivitetit seksual, dhe shiringave të përdorura më shumë se një herë e në persona të ndryshëm.

Njerëzit gjithashtu mund të infektohen nëse ndajnë sende personale të kujdesit vetiak si furça dhëmbësh, brisqe roje etj.

Hepatiti B shton rrezikun e prekjes nga kanceri në mëlçi. Vaksina e kundër hepatitit B është konsideruar si mjeti kryesor mbrojtës kundër kancerit të mëlçisë.

Hepatiti C është edhe më i rrezikshëm, dhe përhapet kur gjaku nga personi i infektuar hyn tek dikush që nuk është i infektuar.

Virus i hepatitit C i përket të njëjtit grup të viruseve të etheve të verdha dhe virusit të Nilit Perëndor. Shumica e njerëzve që jetojnë me hepatit C, zhvillojnë infeksione kronike, shpesh pa ndonjë shenjë. Ata janë në rrezik të lartë për sëmundje të mëlçisë dhe kancer të mëlçisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreth 170 milionë njerëz janë të infektuar me hepatit C. Kjo është 3 përqind e popullsisë e botës. Sipas OBSH-së, më shumë 4 milionë njerëz infektohen çdo vit nga hepatiti C. Rastet më të shpeshta të infektimit nga Hepatiti C ndeshen në Afrikë, Azi, dhe Amerikën Qendrore e Jugore.

Virusi i hepatitit C u vu re për herë të parë të parë në vitin 1974, por nuk u njoh zyrtarisht si lloj i ri hepatiti deri në vitin 1989. Shkencëtarët vazhdojnë punën për të zhvilluar një vaksinë dhe trajtime të tjera kundër hepatit C. Muajin e kaluar (tetor 2010), revista Lancet njoftoi se një kombinim i dy barnave eksperimentale mund t’a zhdukë infeksionin brenda  8 deri 12 javëve. Megjithatë, shkencëtarët janë ende duke studiuar efektet e trajtimit.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë rreth tre milion amerikanë janë të infektuar me hepatit C. Rastet e infeksioneve janë të larta në mesin e njerëzve të lindur  nga viti 1945 deri më 1965. Në rrezikun nga Hepatit C përfshihen edhe personat që injektojnë drogë dhe ata të cilët kanë marrë gjak apo produkte gjaku para vitit 1990.

Hepatiti D përhapet përmes gjakut, por infekton vetëm njerëzit të cilët kanë hepatitin B. Virusi i hepatitit D rrit shumë rrezikun e dëmtimit të mëlçisë. Ekspertët thonë se virusi infekton rreth 15 milionë njerëz në mbarë botën.

Mjekët thonë se mënyra më e mirë për të parandaluar hepatitit D është vaksina kundër hepatitit B. Mjekët mund të trajtojnë disa raste të hepatitit B, C dhe D. Barnat që përdoren janë të kushtueshme, por më pak të kushtueshme se sa marrjen e një mëlçie të re.

Virusi i hepatitit E përhapet në të njëjtën mënyrë si hepatiti A – nëpërmjet mbeturinave infektive. Raste shpesh janë rezultat i pirjes së ujit të ndotur. Shkenca mjekësore e njohu hepatitin E si sëmundje të veçantë në vitin 1980.

Hepatiti E është gjetur edhe në jashtëqitjet e kafshëve. Studimet kanë treguar se virusi mund të infektojnë shumë lloje  kafshësh.

OBSH-ja. thotë se shumë raste të hepatitit E janë raportuar në Azinë Qendrore dhe Juglindore, Afrikën veriore e Perëndimore dhe Meksikë. Vaksinat dhe ilaçet kundër hepatitit E janë treguar të paefektshme. Shumica e njerëzve shërohen nga ky infeksion brenda disa javëve ose muajve. Sëmundja mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë. Në disa raste, hepatiti E mund të jetë vdekjeprurës.

Virusi është veçanërisht i rrezikshëm për gratë shtatzëna. 20 përqind e grave të prekura nga hepatiti E vdesin në tre muajt e fundit të shtatzënisë.

Në vitet ’90 shkencëtarët zbuluan edhe një lloj tjetër hepatiti,  që e quajtën Hepatit G. Virusi i këtij hepatiti është krejtësisht i ndryshëm nga viruset e hepatititeve të tjera.

Donald Poretz është specialist për sëmundje infektive në Washington, DC. Ai thotë se virusi i hepatitit G përhapet përmes gjakut dhe produkteve të gjakut. Por ai shton se të dhënat tregojnë se virusi nuk shkakton ndonjë sëmundje.

Aleanca botërëre kundër Hepatitit punon për të rritur njohuritë në lidhje me rreziqet e këtyre infeksioneve. Ky grup thotë se njerëzit duhet t’a dinë se sëmundja vret rreth 1 milionë e 500 mijë persona çdo vit, dhe se 1 në 12 vetë jetojnë me hepatit B, apo C.

Hepatitet nuk mund të shërohen. E vetmja mënyrë për t’u mbrojtur prej tyre është vaksina kundër hepatitit A dhe B dhe shmangia e kontakteve me viruse të tjera. Dhe kjo mund të jetë e vështirë.

Disa lloje hepatitesh përhapen nëpërmjet seksit ose përdorimit të përbashkët të shiringave. Njerëzit me rrezik të lartë për t’u prekur nga ndonjë hepatit dhe ata të cilët kanë pasur hepatit nuk duhet të japin gjak. Ata gjithashtu nuk duhet të dhurojnë organet e tyre edhe pas vdekjes. Organet e dhuruar mund të përhapin hepatit.

Ekspertët thonë se njerëzit mund të ndërmarrin hapa të tjerë për të mbrojtur veten nga hepatitet. Këto masa përfshijnë larjen e vazhdueshme të duarve me ujë e sapun pas përdorimit në banjë dhe para përgatitjes ose ngrënies së ushqimit.

Ekspertët thonë se udhëtarët nuk duhet të pini ujë të cilësisë së panjohur kur vizitojnë zona ose vende të huaja. Ata gjithashtu duhet të mos hanë fruta dhe perime të palara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

November 2010
M T W T F S S
« Oct   Dec »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930