Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shkencëtarët e klinikës së Klevelandit në bashkëpunim me kolegët në Universitetin e Ilinoit kanë shpikur një pajisje për diagnostikimin e saktë të kancerit të mushkërive. Sipas studimit botuar në revistën Thoracic Oncology, pas çdo frymëmarrjeje, njeriu çliron një bioshenjë metabolike që përbëhet nga një substancë e veçantë organike. Kjo frymë, pasi analizohet me pajisjen e re mund të mund të tregojë nëse personi ka ose jo kancer në mushkëri.
Shkencëtarët analizuan mostrat e 229 personave. 92 prej të cilëve dolën me kancer në mushkëri që nuk ishte trajtuar dhe 123 të tjerë ishin në rrezik ndaj këtij lloj kanceri.
Shkencëtarët morën parasysh edhe faktorët si mosha, gjinia, pirja e duhanit dhe historinë e sëmundjeve të mushkërive të personave që u përfshinë në studim.
Analiza e frymës tregoi saktë kancerin e mushkërive në mbi 80 përqind të rasteve. Analiza u tregua edhe më e saktë kur shkencëtarët shikuan për lloje të veçanta të kancerit në vend të kancerit të mushkërive në përgjithësi.
Qëllimi tani është ulja e kostos së analizës së frymës që duke u kombinuar me mënyra të tjera diagnostikimi si, radiografi dhe skanim të mushkërive, të ndihmojë mjekët për të dalluar nëse tumoret janë beninje ose malinje.