Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Vetëm 20 minuta ushtrime fizike në ditë mund t’i mbrojnë fëmijët nga diabetet
Duket se ora e fizkulturës është më e vlefshme sesa mendohej.
Vazhdimisht është thënë se ushtrimet fizike janë një nga armët më të mira në luftën kundër mbipeshës – në këtë rast – mes fëmijëve.
Tani, një studim në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë (JAMA) konstaton se edhe 20 minuta ushtrime fizike në ditë mund të ndihmojnë në uljen e peshës së tepërt tek një fëmijë – dhe kjo mund të përkthehet si “ulje e rrezikut nga prekja e fëmijëve me diabet të tipit 2” – një nga pasojat më të frikëshme të mbipeshës.
Autorët e studimit ndanë në 3 grupe rreth 200 fëmijë mbi peshë:
– Grupi i parë u ushtrua fizikisht 40 minuta çdo ditë
– Grupi i dytë u ushtrua 20 minuta
– Grupi i tretë u ushtrua jo rregullisht
Studimi zgjati 15 javë.
Në fund, autorët zbuluan se tek fëmijët që kishin kryer ushtrime fizike në palestër për 40 minuta dhe 20 minuta, qëndrueshmëria e nivelit të insulinës, niveli i yndyrnave të tepërta dhe forma e tyre fizike u përmirësuan thuajse njësoj dhe njëkohësisht, Pra emëruesi i përbashkët është: vetëm 20 minuta ushtrime fizike në dite mjaftojnë të sjellin përmirësime të rëndësishme shëndetësore.
Dhe fakti i padukshëm është se këto ushtrime në shkolla mund të kryen gjatë orës argëtuese të fizkulturës – falas.