Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes
Papritmas, vjen vetë-djegia brenda një greve urie. Personi i përket ish të burgosurve politikë – si të diplomuar të papunë – me të gjitha kredencialet për nevojat e tyre.
Por askush nuk ua hap dyert, duke bërë të hidhen në vetë-flijim me bazë vitet e burgut, të frymëzuar nga varfëria kronike dhe korrupsioni.
Çfarë ndodhi me protestat “ulur” të mosbindjes publike? Vetes i duhet vënë flaka për të ndriçuar sfidën? Duhet vërtetë bërtitur për të treguar sesa e rëndësishme është ajo që thuhet? Aspekt shqetësues i kulturës së komunikimit, përkthyer në vetë-dhimbje.
Sociologët i ndajnë vetë-flijimet në katër lloje: egoiste, altruiste, dëshpëruese dhe fataliste. Ndoshta nga kjo shtrirje, vetë-flijimi fiton ndaj sfidës, duke u bërë njëherësh simbol i dorëzimit dhe heroizmit.
Zjarri është një nga format më të tmerrshme të vdekjes – njëkohësisht pohim i mospërfilljes dhe superioritetit moral; marrëzi dhe akt i arsyes. Në mitologjinë greko-romake, Herkuli dhe Dido thuhet se janë vetë-djegur, i pari nga marrëzia; e fundit nga dëshpërimi e krenaria.
Arsyeja në njërën anë, shishja me benzine në tjetrën, personi i heq tapën, lag vetën nga koka në këmbë – e bën këtë sikur të ishte pjesë e një rutine që e ka praktikuar prej kohësh – ndalet, shikon rrotull, njerëzit vrapojnë për t’a ndaluar, nga kjo nxitet më shumë, një shkrepëse, shkëndi dhe mbulohet nga flakët. Në këtë moment, asgjë në botë nuk mund t‘a ngushtojë hendekun që tani e ndan nga të tjerët. Kundërshtimi i përgjithshëm i instinkteve të mbijetesës dhe vetë-ruajtjes e bëjnë të kapërcejë atë të cilës të tjerët i shmangen – lehtësinë e vetë-shkatërrimit.
Kjo, për tjetrin, është përtej kapacitetit të të kuptuarit, edhe pse jeton në të njëjtin mjedis, por me të cilin pajtohet (e gjen të banueshëm).
Megjithatë, i vetë-djeguri nuk pushon së mbizotëruari. Ata që e panë aktin e tij ndjenë keqardhje, terror, frikë, nderim – të gjitha njëherësh. Eshtë përvojë e fuqishme, sepse ndjenja është aq thellë sa zë vend ulur në psikikën e njeriut që këtij kurrë të mos i shkojë as në mendje të këshillojë të tjerët të bëjnë atë që nuk do t’ia dëshironte vetes.
Vetë-flijimi ka pak të bëjë me vetëvrasjen; prirjet për vetë-vrasje pothuajse kurrë nuk mund të çojnë në vetë-flijim, thonë disa sociologë që e kanë studiuar këtë fenomen, por e quajnë formë të qëllimshme, shprehje të dhimbëshme të protestës individuale.
Në rrethana të caktuara, siç kanë treguar raste në histori, gjesti i një individi vetë-flijues është i mjaftueshëm për të ndezur një lëvizje sociale, por do të ishte gabim të mendohej se sa herë që kjo ndodh ka pasoja të rëndësishme politike; recetë për sukses nuk ka. Për të përdorur një lloj analogjie; raste të tilla nuk janë ndryshe nga kryeveprat artistike; ato nuk mund të prodhohen “me kërkesë”, janë të paimitueshme, të papërsëritshme.