Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shikimi i një drite në tunel, ndjenja e kalimit në një tjetër realitet ose dalja nga trupi, janë tipare të fenomeneve komplekse të njohura si “përvojë pranë vdekjes”. Disa thonë se këto fenomene janë prodhime fiziologjike, të tjerë këmbëngulin ato se janë psikologjike.
Gjithësesi, dukuri të tilla janë përfolur shumë, duke krijuar a nxitur besime dhe teori të çdo lloji. Nga pikëpamja shkencore, këto përvoja janë edhe më të vështira për t’u kuptuar – provat mungojnë, pasi fenomeni shfaqet në kushte kaotike, që e bëjnë studimin e tij në kohë reale pothuajse të pamundur. Prandaj edhe fenomene të këtij lloji quhen “paranormal”, sepse ndodhin krahas ose paralelisht me ngjarjet normale ose reale.
Në përpjekje për të gjetur një shpjegim, shkencëtarë në Universitetin Liege, Belgjikë, provuan një qasje tjetër; Ata shqyrtuan kujtimet e “përvojes pranë-vdekjes” mbështetur në hipotezën se nëse këto kujtime ishin prodhim i imagjinatës, ato duhet të jenë thuajse të ngjashme me kujtimet e imagjinuara – dhe anasjelltas, nëse kujtimet e “përvojës pranë-vdekjes” janë të ngjashme me ato të realitetit, karakteristikat e tyre do të ishin të përafërta me kujtimet e ngjarjeve reale.
Shkencëtarët shqyrtuan përgjigjet e ofruara nga tre grupe pacientësh, çdo njeri prej të cilëve kishte mbijetuar një gjendje kome, kur truri në kushte të favorshme për fenomene të tilla bëhet pre e kaosit dhe mekanizmat fiziologjike shqetësohen plotësisht, duke shtuar ose zvogëluar rolin e tyre.
Disa studime japin një shpjegim fiziologjik për disa komponentë të “përvojës pranë-vdekjes”, siç është ajo e daljes jashtë trupit – që ndodh nga kushtet jo normale ose nga dëmtime në zonë parietal-temporo të trurit, në pjesën e mesme të kokës. Në këtë kontekst studim i shkencëtarëve belgë sugjeron se një gjendje e tillë mund të krijojë një perceptim real të asaj që ndodh në imagjinatë. Në këtë rast, në një lloj mënyre truri i gënjen njerëzit, siç ndodh në rastin e haluçinacioneve.
Megjithëse studime të shumta kanë shqyrtuar mekanizmat fiziologjike të “përvojës pranë vdekjes”, këto dy teori – fiziologjike dhe psikologjike – janë të paafta për të shpjeguar fenomenin në tërësinë e tij. Autorët thonë se studimi i tyre nuk pretendon të ofrojë një shpjegim të veçantë, por vetëm kontribuon për të studiuar rrugët të cilat marrin parasysh fenomenet psikologjike pa kundërshtuar ato fiziologjike në rastet e “përvojës pranë vdekjes”.