Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një hënë e plotë i bën njerëzit të flenë më pak, madje edhe në mjedise plotësisht të izoluara nga drita e jashtme. Në këtë përfundim arrin një studim në revistën Current Biology.
Autorët sugjerojnë se njerëzit mund të kenë në organizëm një orë të brendshme që ndjek ciklin hënor, njësoj si orët qarkulluese (circadian) që sinkronizojnë organizmin me lindjen dhe perëndimin e diellit.
Gjatë një eksperimenti në laborator me 33 persona, shkencëtarët vunë re se gjatë netëve me hënë të plotë, secilit pjesëmarrës, i duheshin 5 minuta më shumë për të rënë në gjumë; bënte gjumë më pak të thellë; dhe flinte 20 minuta më pak sesa në netët me hënë jo të të plotë.
Studimi u krye nën kushte të kontrolluara laboratorike dhe është studimi i parë që zbulon ndikimin e hënës në gjumin e njeriut.
Kritikët thonë se rezultati ka nevojë për shpjegim. Efektet e zhvendosjes gravitacionale të Hënës janë shumë të dobta për të ndikuar organet e njeriut dhe se ekzistenca e një ore të brendshme që e sinkronizon trupin me fazat e hënës, është thjesht hipotezë.
Shkencëtarët gjithashtu nuk janë të sigurt përse njerëzit mund të kenë evoluar ritmet hënore, edhe pse shumë organizma ujorë kanë një orë të tillë që i sinkronizon ato me baticat dhe zbaticat – pasoja të cikleve të hënës.
Teori të ndryshme ekzistojnë. Disa thonë se ndikimi i hënës tek gjumi i njeriut mund të rrjedhë nga kohët primitive, kur një natë me hënë të plotë para-ardhësi i herëshëm i njeriut e shfrytëzonte për gjah e për të siguruar ushqimin e tij, dhe si rrjedhim i mbetej më pak kohë për gjumë, sesa në netët me hënë të pjesëshme a errësirë të thellë kur gjuetia bëhej e pamundshme.