Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shkencëtarët kanë gjetur një lidhje midis vitaminës D dhe disa sëmundjeve gjenetike, duke shtuar në këtë grup të dhënash se mungesa e vitaminës D mund të jetë një faktor rreziku për diabet, kancer dhe sëmundje të tjera. Shkencëtarët thonë se kanë zbuluar të dhëna të shumta se sasia e pamjaftueshme e vitaminës D në organizëm – pasojë e dietës së varfër ose mos qëndrimit mjaftueshëm në diell – krijon për individët rrezik të madh ndaj një numri sëmundjesh. Por nuk ka qenë e paqartë se çfarë roli luan vitamina D në sëmundjet autoimune, si skleroza shumëfishtë apo MS, diabeti i tipit 1, artriti reumatoid, kanceri kolorectal dhe leukemia.
Ekspertët thonë se vitaminë D ushtron ndikimin e saj duke u lidhur kimikisht me segmente të molekulës së ADN-së, molekulë që merret me prodhimin e proteinave, të cilat pastaj rregullojnë funksionimin e qelizave. Për të identifikuar vendet e këtyre receptorëve të vitaminës D, studiuesit britanikë dhe kanadezë kanë krijuar një hartë gjenetike të vendeve të mundëshme dhe kanë identifikuar më shumë se 2 mijë e 700 pika ku grumbullohen receptorët.
Shkencëtarët gjetën më shumë vitaminë D në faqet e receptorit në zonat e gjenomit që lidhen me çrregullime autoimune, dhe që drejtpërdrejt ndikojnë në aktivitetin e 299 gjeneve të cilët kanë lidhje me sklerozën e shumëfishtë ose MS,- diabetiin e tipit 1 dhe sëmundjen Crohn’s.
Studimi u kryesua nga doktor Sreeram Ramagopalan në Qendrën për kërkime në fushën gjenetike pranë Universitetit të Oksfordit. Ai thotë se të dhënat e studimit tregojnë se mangësia në organizëm e vitaminës D është shkaku themelor i një numri të këtyre sëmundjeve. Doktor Sreeram shton se tani nevojiten studime dhe eksperimente të tjera për të provuar nëse plotësimi i nevojës së organizmit me vitaminë D do të jetë në gjendje t’a shërojë njeriun nga këto sëmundje.
Ekspertët përllogarisin se 1 miliardë njerëz në botë kanë mangësi të vitaminës D, dhe si rrjedhim janë në rrezik të vazhdueshëm ndaj sëmundjeve kronike. Mungesa e vitaminës D prek zhvillimin e kockave duke shkaktuar rakitizëm. Tek gratë shtatzëna, nivelet tepër të ulta të vitaminës D mund të bëhen shkak për vdekjen e nënës dhe foshnjes gjatë lindjes. Ndër shkaqet kryesore të mangësisë së vitaminës D është qëndrimi i pamjaftueshëm në diell. Shkencëtarët thonë se rastet e sklerozës së shumëfishtë janë më të shumta në vendet më në veri të ekuatorit, ku ditët janë të shkurtra dhe rrezet e diellit më të pafuqishme
Peshqit yndyrorë si salmoni e trofta përmbajnë nivele të larta vitamine D, Prandaj ngrënia rregullisht e ushqimeve të tilla mund të plotësojë nevojat e organizmit me këtë vitaminë.