Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një studim i ri i universitetit të Harvardit përmbys imazhin ekzistues se shefi ka punën më stresuese. Studimi zbulon se ata që udhëheqin kanë nivel më të ulët stresit se sa vartësit e tyre.
Studimi, i publikuar në Proceedings National Academy of Science, krahasoi treguesit e stresit, duke përfshirë nivelet e hormonit kortisol dhe nivelin e ankthit midis dy grupeve; atyre që udhëheqin dhe atyre që udhëhiqen. Kortisol quhet ndryshe “hormoni i stresit” pasi sa më i ulët të jetë niveli i këtij hormoni, aq më pak stres ka njeriu.
Shkencëtarët e në Laboratorin Shkencor të Shkollës Kennedy në Harvard kryen sondazhe të thella për të kuptuar gjendjen e të intervistuarve dhe analizuan mostra të pështymës për të matur nivelin e hormonit kortisol.
Urtësia konvencionale thotë se roli udhëheqës është i vështirë, madje shumë libra e programe qarkullojnë se si duhet menaxhuar stresin e shefave, udhëheqësve dhe komandantëve të lartë. Rezultatet e studimit tregojnë se të qenit në krye është një punë me më pak stres. Këtë, thonë shkencëtarët, e tregon niveli dy herë më i ulët i kortisolit që u gjet tek këta persona, në krahasim me ata që udhëhiqen prej tyre. Edhe studime të mëparëshme kanë treguar se kur njeriu është nën kontrollin e tjetrit, më shumë ankth e stres, sesa kur kontrollon apo e ndjen veten më të pavarur, më të çliruar nga kontrolli i tjetrit.
Autorët e studimit thonë se këto rezultate mund të ndihmojnë edhe punë-dhënësit për të menaxhuar më mirë nivelin e stresit në vendet e punës, ndoshta duke u përqëndruar më shumë tek punëtorët sesa tek shefat apo drejtuesit përsa i përket stresit.