Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes
13 tetor 1911 – Në Shkodër lindi Migjeni ose (Mi)llosh (Gje)rgj (Ni)kolla, poet e prozator. Të parët e tij me mbiemrin Dibrani zbritën nga Reka e ranë në Shkodër. Më 1922, i ati, Gjergji, mori pjesë me Nolin në Kuvendin e Beratit për shpalljen e Autoqefalise Ortodokse Shqiptare. Migjeni mësues fshat-më-fshat ishte 26 vjeç kur vdiq. Jo për më shumë se 7 vjet , ai shkroi prozë, skica, poezi që tingëllojnë këngë vajtimi të dhimbjes, varfërisë e mjerimit. Edhe pse nuk pa një libër të vetin të botuar, Migjeni shtroi udhën e letërsisë bashkëkohore shqipe. Ç’mund të kishte arritur nëse do të jetonte gjatë? Si erdhën kohët – pa liri shprehje e mendimi – në një mënyrë a tjetër, zëri i Migjenit do të ishte mbytur.
Frymëzim i Pafat
Migjeni
Frymzim’ i em i pafat,
që vjen e më djeg mu në gji,
për kë po më flet? për kë të shkruej?
përse po më ban që kaq të vuej?
pse vjen e më djeg mu në gji,
frymzim’ i em i pafat?
Për të gjorët?
për ata që nuk kanë dritë?
O frymzim’ i em i ngratë,
mjaft me plagë që s’kan shërim,
leni të dergjen në mjerim,
Njerzit s’duen ma trishtim,
botës s’ia kande atë kangë të thatë,
thot se mjell një farë të idhtë.
Far’ e idhtë… far’ e idhë…
– O njerz të bimë nga far’ e ambël!
Frigë të mos keni, pse një kangë
mund t’ju theri në ndjesi,
t’ju kujtojnë zemrën në gji
në ndërgjegje dhe një dangë…
porju t’ju bajë edhe ma zi.
Frymzim’ i em i pafat!
Shporru ktej! Nuk të due!
S’i due hovet tueja të nalta,
as fluturimet… Nëpër balta…
të ditve tona të shklas un due
rrokë me njerzit që rrok nata.