Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Më 24 tetor 1892 – Në Gjenevë, Andoni, një shqiptar 24-vjecar merr diplomën e avokatit.
Kjo ëndërr-realitet, ngjarje e shënuar për cdo të ri në mërgim, do të bëhej pikëkthesa drejt një udhe krejtësisht të paparashikuar ndoshta edhe nga vetë ai; kishte shkuar 5 vjet më parë në Zvicër, ku njohu një vajzë, u dashuruan, u martuan, patën një djalë.
Dhe e shoqja vdiq. I dëshpëruar, Andoni lë fëmijën me prindërit e tij, ndërsa gjen punë në një firmë avokatësh, që e dërgon në Egjipt. Atje punon disa vjet, por nuk pati sukses.
Të atin e kishte tregtar të pasur; kjo i jep mundësi të lërë punën, dhe tërhiqet në vilën e tij në Heliopolis, afër Kajros, ku vendos të merret me letërsi.
Fillimisht ndjeu se i duhej një emër letrar; nga mendja s’i ndahej emri i malit të lartë në fshatin e lindjes Sheper.
Dhe kështu “lindi” Çajupi – Andon (Çako) Zako – shkrimtar e dramaturg – poeti romantik më i madh shqiptar, pas Naim Frashërit.
Poezi nga Çajupi
1
Ne ç’vend kemi lerë?
Ku na bëjnë nderë?
–Në Shqipëri.
Po njeriu vetë,
cilë do në jetë?
–Do vend’ e tij.
Ku i duket balta
m’ë e ëmbël se mjalta?
–Në vend të tij.
Ku munt të gëzojë
dhe me nder të rrojë?
–Në Shqipëri.
Përse të punojë
dhe të lakëmojë?
–Për vend’ e tij.
2
Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!
Le të fryjë er’ e ftohtë,
s’ka ç’më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.
Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor’ e shi,
sa flë njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji!